Nxënës pa libra, mësues pa ditarë e greva e punonjësve teknikë në Prishtinë janë problemet që kanë karakterizuar ditën e parë të vitit të ri shkollor në Kosovë. E ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, ka uruar për një vit të mbarë shkollor të mësimdhënësit e nxënësit
Егзона Мема
Oborret e shkollave të martën janë mbushur sërish plot me nxënës.
Pas pushimeve verore ata janë kthyer në bankat shkollore për të nisur vitin e ri shkollor 2026/27.
Por, dita e parë e mësimit ka nisur me disa probleme.
Drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, ka thënë se shkollat ende nuk janë pajisur me ditarë, ndërsa një pjesë e nxënësve nuk i kanë blerë ende tekstet shkollore.
“Presim të vijnë sot ditarët dhe nga nesër mësimdhënësit me i pasë. Sot kemi parë statistika, sa kam informatë, mbi 70% veç se janë furnizuar me tekste shkollore, besoj brenda dy ditësh fëmijët të pajisen me tekste shkollore”, ka thënë Osmani.
Njohësi i fushës së arsimit, Ismet Potera, ka vlerësuar se vonesat në furnizimin me ditarë dhe pajisje të tjera shkollore është dashur të evitoheshin, në mënyrë që viti shkollor të niste pa probleme.
“Jo në të gjitha shkollat ka filluar ashtu si duhet, për këtë, sistemi ynë është i ndarë në dy pjesë, viti shkollor dhe viti mësimor, sot është viti shkollor, të mungojnë sot në klasë ditarët, pajisjet tjera është keq, fillim jo i mirë jo i mbarë për ato shkolla”, ka thënë ai.
E në këtë 1 shtator, në punë nuk janë kthyer edhe rreth 250 punëtorë teknikë në shkollat e Prishtinës.
Punëtorët teknikë kanë hyrë në grevë, për shkak të vonesave në ekzekutimin e pagave për muajt korrik dhe gusht.
“Komuna e Prishtinës ka qenë jobashkëpunuese, joserioze, bile-bile po themi kështu ndoshta mund ta përdorim një fjalë shumë të rëndë, jashtëzakonisht njerëz të cilët nuk kanë ndjeshmëri për rastet konkrete, sepse i kemi rreth 250 punëtorë që sot janë në grevë. Por, paralajmërimin për këtë grevë e kemi bërë diku para një muaji, dy-tri herë i kemi shkruar kryetarit të komunës, drejtorit të Arsimit dhe njerëzve kompetentë, por asgjë nuk ka lëvizur”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, mirëpo gjatë ditës së martë nuk ka marrë përgjigje.
E ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me zëvendësministrin në detyrë, Përparim Kryeziu, ka vizituar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ku është diskutuar për përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor, rolin kyç të mësimdhënësve, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit arsimor.
“Vizita ime e parë në zyrat e SBASHK-ut dhe takimi i pestë në diçka më shumë se një muaj me drejtues të sindikatës së arsimit. Për shtatorin e fillimeve të mbara dhe për synimet tona për cilësi në arsim dhe arsim zhvillimor, diskutimet e hapura dhe bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm. Falënderoj drejtuesit e SBASHK-ut për mikpritjen sot dhe për gatishmërinë e shprehur në çdo takim për të mbështetur e kontribuar në strategjinë e re 10-vjeçare të arsimit dhe reformat përmes saj”, thuhet në postimin e bërë nga Çeku.
Në postim, ai ka uruar për një vit të mbarë shkollor për mësimdhënësit e nxënësit.