КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Фондација чека одлуку Врховног суда о Лавдиму Краснићију, Ардијан Краснићи се прогласио невиним

Поновљено суђење - случај Лавдима Красникија и Ардиана Красникија

Ka nisur rigjykimi i tretë ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, dhe ish-shoferit të tij, Ardian Krasniqi. Në seancën e sotme, Ardian Krasniqi është deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i ngarkohen, ndërsa për Lavdim Krasniqin, Gjykata Themelore do të presë vendimin e Gjykatës Supreme, pasi mbrojtja ka ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të shkallës së dytë. Gjykata ka vendosur që procedurat ndaj tyre të zhvillohen veçmas, ndërsa mbrojtja ka kërkuar edhe ndërprerjen e paraburgimit për Ardian Krasniqin

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur rigjykimi i tretë ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, dhe ish-shoferit të tij personal, Ardian Krasniqi, në rastin ku ata dyshohen për korrupsion. 

Në seancën e së hënës trupi gjykues vendosi që procedurat ndaj dy të pandehurve të mos bashkohen tash për tash, pasi lënda ndaj Lavdim Krasniqit ndodhet në Gjykatën Supreme. 

Ndërkaq, procedura ndaj Ardian Krasniqit do të vazhdojë veçmas, pasi ai ndodhet në paraburgim. 
Prokurori Besnik Jakupi, propozoi që procedurat të mos bashkohen deri në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme lidhur me kërkesën e Prokurorit të Shtetit.

“Meqenëse çështja për Lavdim Krasniqin është në trajtim në Gjykatën Supreme, propozoj që të mos bashkohet procedura derisa Gjykata Supreme të vendosë lidhur me kërkesën që e ka bërë Prokurori i Shtetit”, ka thënë Jakupi. 

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi, e aprovoi propozimin e prokurorit. 

Gjatë seancës, Lavdim Krasniqi i ka mohuar akuzat ndaj tij.

Prokurori Besnik Jakupi tha se gjatë procesit do të provohen pretendimet e aktakuzës.

Ndërkaq, avokatja e Ardian Krasniqit, Bedrie Rexhepi, kërkoi që në rigjykim të qartësohen veprimet konkrete që i atribuohen të mbrojturit të saj dhe provat mbi të cilat bazohen këto pretendime.

“Mbrojtja është e sigurt që nuk ka prova as materiale që vërtetojnë veprimet dhe elementet e veprave penale, andaj besojmë që pas këtij shqyrtimi gjyqësor Ardian Krasniqi do të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës”, ka deklaruar Rexhepi. 

Prokuroria kërkoi ndërprerjen e seancës për përgatitjen dhe dorëzimin e materialeve që lidhen me Ardian Krasniqin. 

Ndërsa, mbrojtja kërkoi ndërprerjen e paraburgimit, duke propozuar arrestin shtëpiak ose dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit, por Prokuroria e kundërshtoi. 

Gjykata e refuzoi kërkesën, dhe seancën e radhës e caktoi më 13 nëntor. 

Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pikën I dhe II, që nënkupton për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. 

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj  Krasniqit, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vjetësh e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. 

Sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të KPK-së dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, morën deri në 40 mijë euro.