КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Терапија за лечење рака простате недостаје у онкологији од маја

Онколошка клиника

Фото: Дритон Пацхарада

Pacientët me kancer të prostatës po detyrohen ta blejnë vetë një nga terapitë që u nevojitet për trajtim. Edhe terapia Bikaderi, që prej muajit maj mungon në Klinikën e Onkologjisë. Mungesën disamuajshe të kësaj terapie, njohës të shëndetësisë e lidhin me planifikimin dhe vonesat në procedurat e prokurimit.

Bikaderi është terapi hormonale që përdoret në trajtimin e kancerit të prostatës. Por kjo terapi ka muaj që mungon në Klinikën e Onkologjisë.

Pacientët që përballen me këtë sëmundje, tashmë detyrohen që edhe këtë ilaç ta sigurojnë vetë.

Një familjar i një pacienti i ka thënë KOHËS se terapia mungon në Klinikën e Onkologjisë që nga muaji maj.

“Shuma për me e siguru nuk është edhe aq e madhe, po përderisa ka pas në klinikë e tash nuk ka, është bërë e tepërt. Prej majit mungon, çmimi prej barnatore në barnatore dallon, diku 70 euro e diku 80 çdo muaj po kushton”, ka thënë një familjar i një pacienti.

E mos-hapja me kohë e tenderëve, sipas njohësit të shëndetësisë, Vlorjan Molliqaj, tregon se problemet me furnizimin nuk janë thjesht të rastësishme, por lidhen me mangësi në planifikimin dhe menaxhimin e barnave.

“Kur tenderët hapen me vonesë, apo dështojnë për shkak se buxheti i planifikuar nuk përputhet me çmimet reale të tregut, kjo tregon qartë se nevojat nuk janë parashikuar dhe proceset nuk janë nisur me kohë. Në Onkologji, çdo vonesë apo ndërprerje e terapisë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në efektivitetin e trajtimit dhe, në raste të caktuara, edhe në ecurinë e sëmundjes. Prandaj, mungesa e barnave për pacientët me kancer nuk mund të trajtohet si një çështje e zakonshme administrative apo procedurale”, ka thënë Molliqaj.

Sipas Molliqajt, SHSKUK-ja duhet të planifikojë më herët dhe më saktë procedurat e prokurimit, në mënyrë që dështimet e tilla të mos përsëriten.

“Nevojitet një planifikim shumë më i saktë i nevojave, nisje më e hershme e procedurave të prokurimit, mekanizma të përshpejtuar për sigurimin e barnave jetike dhe krijimi i një rezerve shtetërore që garanton furnizim për disa muaj. Është e papranueshme që pasojat e dështimeve në sistemin publik t’u barten pacientëve dhe familjeve të tyre, duke i detyruar ata që terapinë e domosdoshme ta blejnë me mjetet e veta. Përgjegjësia për sigurimin e vazhdimësisë së trajtimit duhet të jetë e sistemit, jo e pacientit”, ka vlerësuar Molliqaj.

KOHA i ka dërguar pyetje Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës lidhur me procedurat e prokurimit për këtë terapi, si dhe se kur pritet të furnizohet Klinika e Onkologjisë me Bikader, por deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.

KOHA ka raportuar vazhdimisht gjatë muajve të fundit për mungesat e barnave në Klinikën e Onkologjisë dhe vonesat në procedurat e prokurimit për shumicën e terapive që kanë munguar në këtë klinikë.

Në Onkologji, pacientët janë përballur edhe me mungesa të terapive, blerja e të cilave nga ana e tyre ka kushtuar deri në 5 mijë euro.