КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Шала: Мудро је вратити Закон о специјалним питањима на преиспитивање

Ibrahim Shala

Analisti për çështje politike, Ibrahim Shala, e ka vlerësuar si veprim të mençur dhe të arsyeshëm rikthimin për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se kjo mund të shmangë përplasjet mes forcave politike dhe presidentes.

Shala ka thënë se ligji, pavarësisht debatit që e ka shoqëruar, fillimisht ka pasur efekt pozitiv në skenën politike, pasi ka ndikuar në unifikimin e faktorëve politikë, veçanërisht të dy partive më të mëdha, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ky ligj si i tillë njëherë ka dhënë një efekt shumë pozitiv, ka bërë unifikimin e faktorëve politikë në Kosovë, sidomos të dy partive më të mëdha, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Pastaj u bë shkas që të zgjidhet edhe presidentja dhe Kosova tejkaloi këtë moment të rrezikshëm dhe kaloi në një situatë krejt të re, në një gjendje të stabilitetit”, ka deklaruar Shala të enjten në emisionin “Konfront” të KTV-së.

Shala ka thënë se, pas analizës së ligjit nga vetë sponsorizuesi, kërkesa për rikthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim është e drejtë nga pikëpamja juridike dhe procedurale.

Sipas tij, është më e përshtatshme që nisma për rishqyrtim të vijë nga sponsorizuesi i ligjit, sesa që ai të kthehet nga presidentja.

“Është mirë që këtë e ka bërë vetë sponsorizuesi pa e kthyer presidentja, sepse pas unitetit që e kemi arritur do të kishte qenë shumë e dëmshme që po ky ligj të binte për të prodhuar përplasje në mes të forcave politike, edhe në raport me presidenten si palë e tretë”, ka thënë Shala.

Ai ka theksuar se rikthimi i ligjit për rishqyrtim është një procedurë normale, veçanërisht para se ai të fillojë të prodhojë efekte në Gjykatën Speciale dhe në raportet e Kosovës me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Megjithatë, është punë shumë e mençur, shumë e logjikshme që të rikthehet e të rishikohet edhe një herë ligji”, ka thënë më tej ai.

Прочитајте друга ажурирања
Суочити

УЖИВО: Од Закона о специјалном до борбе за вођу