КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Садику: ДСК мора бити ослобођен комплекса

Ермал Садику

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka bërë thirrje që partia e tij të çlirohet nga komplekset.

Në një shkrim në Facebook ai ka renditur gjashtë pika, që sipas tij e paraqesin LDK-në që dëshiron ta shohë.

Sipas tij, LDK-ja duhet të çlirohet nga komplekset ndaj të kaluarës dhe të krenohet me të.

“LDK-ja ka qenë parti shtetformuese, shtetndërtuese dhe nismëtare e aleancave mbi të cilat qëndron Kosova edhe sot. Me këto aleanca e kemi fituar lirinë, e kemi shpallur pavarësinë dhe e kemi ndërtuar shtetin. Narrativa se “Kosova është shkatërruar pas luftës” nuk është vetëm e pavërtetë është e dëmshme për të ardhmen e vendit. Kjo narrativë është ndërtuar për vite nga VV-ja, por fatkeqësisht është ushqyer edhe nga individë brenda LDK e PDK për përfitime afatshkurtra elektorale. Kosova pas luftës ka bërë gabime. Ka pasur korrupsion, keqqeverisje e dështime. Por nga një vend i shkatërruar nga lufta është bërë shtet i pavarur, me institucione, ekonomi, infrastrukturë dhe aleanca të fuqishme ndërkombëtare. LDK-ja duhet t'i mbrojë sukseset e Kosovës, jo t'i mohojë ato”, ka thënë ai në pikën e parë.

Si pikë të dytë, Sadiku ka thënë se LDK-ja duhet të ketë pozicion të qartë për luftën, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për mbrojtjen e Kosovës. Sipas tij, LDK-ja duhet të jetë forca që e ndërton kapacitetin mbrojtës për gjeneratat e ardhshme.

Sadiku ka thënë se teknologjia, inovacioni dhe hulumtimi e zhvillimi duhet të bëhen prioritete kombëtare të kësaj partie, për zhvillim të shtetit.

Deputeti Sadiku ka thënë se LDK-ja duhet të merret me rininë jo vetëm gjatë fushatës.

Pikë të pestë ai ka përmendur një tjetër “kompleks” nga i cili, sipas tij, duhet çliruar. Sadiku ka thënë se LDK-ja duhet të “të çlirohet nga komplekset ndaj partive të tjera”.

“Nuk mund ta ndërtojmë identitetin tonë duke menduar çdo ditë çfarë thotë VV-ja, çfarë bën PDK-ja apo me kë mund të bëjmë koalicion nesër. Një parti e madhe nuk ndërtohet kundër dikujt tjetër. Ndërtohet rreth një kauze. Dhe LDK-ja e ka kauzën para vetes: **ZHVILLIMIN E KOSOVËS.** Zhvillim ekonomik. Zhvillim teknologjik. Arsim. Siguri. Integrim euroatlantik. Shtet funksional. Mundësi për të rinjtë. Një Kosovë më moderne, më e pasur, më e sigurt dhe më e zhvilluar”, ka shkruar tutje Sadiku.

Në pikë të fundit, Sadiku ka bërë thirrje që LDK-ja ta ruajë demokracinë e brendshme me çdo kusht, edhe kur kjo mund të kushtojë me votë.

“Po, demokracia e brendshme nganjëherë kushton. Krijon debat, prodhon mendime të ndryshme dhe ndonjëherë na bën të dukemi më pak unikë para publikut. Dhe pikërisht për këtë mund të sulmohemi nga autokratë si Kurti, që mendimin ndryshe nuk e shohin si vlerë, por si kërcënim. Por LDK-ja nuk duhet të bëhet si kundërshtari për ta mundur kundërshtarin. Për LDK-në dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen demokratike të Kosovës, mendimi ndryshe është vlerë. Është forcë. Është bukuri. Një parti ku të gjithë duhet të mendojnë si kryetari nuk është parti e fortë. Është parti e varur nga një njeri. LDK-ja duhet të jetë e kundërta: parti ku mund ta kundërshtosh kryetarin dhe prapë ta duash partinë; ku mund të humbësh një votim, por jo të drejtën për të folur; ku debati nuk konsiderohet tradhti dhe kritika nuk dënohet. Kjo kulturë duhet të ruhet me çdo kusht, edhe kur na kushton elektoralish. Sepse zgjedhjet mund t'i humbësh dhe t'i fitosh përsëri. Por nëse e humb demokracinë brenda partisë, ke humbur një pjesë të arsyes pse duhet t'i kërkosh qytetarit ta mbrojë demokracinë në shtet”, ka përfunduar ai.

Përçarja në LDK u ritheksua të martën kur gjashtë deputetë të saj dolën kundër marrëveshjes së arritur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të nominuar për president Bekim Sejdiun. Pa këto vota, rrezikohet arritja e kuorumit të nevojshëm prej 80 deputetësh për të zgjedhur presidentin. Abdixhiku ka kritikuar deputetët e tij duke thënë se po e çojnë shtetin drejt zgjedhjeve të reja. E ata kanë thënë se janë kundër zgjatjes së pushtetit për Albin Kurtin.

Për shkak të këtyre deklaratave, gjashtëshja e LDK-së nga akterë të VV-së u cilësua si “pro PDK”.