КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Зашто постоји таква блискост између Раме и Вучића?

Дитмир Бусхати

Surroi: Përshëndetje! Në Pikë, mysafir Ditmir Bushati, diplomat, politikan dhe njëri prej ekspertëve më të mirë të integrimeve evropiane në Shqipëri. Ditmir, mirë se vjen!

Бусхати: Mirë se ju gjeta.

Surroi: Jemi në tetor të vitit 2030. Ku po e sheh vendin tënd? Jo personal, edhe për personal të pyes më vonë, po vendin, Shqipërinë ku po e sheh, si çka po e identifikon?

Бусхати: Është gjithmonë sfiduese për me e parashiku të ardhmen dhe nuk e di se sa do të jem i saktë, por ajo çka do të dëshiroja unë të na gjente 2030-a në radhë të parë si Shqipëri, është një model tjetër demokratik, pra një sistem politik i rigjeneruar nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe nga pikëpamja e vlerave që mund të ofrojë shporta dhe një...

Surroi: Po të ndërpres këtu. Kjo do të thotë jo ky sistem i cili është sot në Shqipëri.

Бусхати: Natyrisht. Kjo do të thotë jo ky sistemi i cili mendoj që koha e ka kalu dhe fillesa e një kapitalizmi me fytyrë më normale, më njerëzore.

Një Shqipëri do të dëshiroja ose do ta imagjinoja që të ishte natyrisht në hapat e fundit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që besoj do të shënonte dhe realisht fundin e tranzicionit të zgjatur të Shqipërisë dhe një trend në rritje të kthimit të shqiptarëve në Shqipëri, sepse do të ishte një shenjë e besimit të shqiptarëve te vendi i tyre.

Surroi: Në një artikull të cilin e ke botuar së fundmi, ke shkruar për një moment kthese në Shqipëri dhe e ki quajtur moment përcaktues, pak a shumë, kjo çka po ndodh me Revolucionin Flamingo në Shqipëri. Jo domosdoshmërish si revolucion si i tillë, por fryma shoqërore të cilën po e sjell. Çka do të thotë ky moment përcaktues?

Бусхати: Shiko, ne kemi kaluar disa faza pas rënies së komunizmit. Ju e dini edhe keni kontributin tuaj në atë proces edhe në Shqipëri. Ne ishim shumë të uritur në kuptimin politik dhe ekonomik të fjalës dhe çdo gjë që ishte e huaj mikpritej automatikisht në Shqipëri pa një reflektim të dytë.

Dhe për brezin tim ose për ata që janë disi më të pjekur se unë, më kujtohet fare mirë thënia për çekun e bardhë, për terapinë shok apo thënien: “ne qeverisim, bota na ndihmon” në sensin që nuk kishte fort nevojë, le të themi, për atë kontributin e brendshëm apo për një lloj qasje patriotike në mënyrën se si administrohen burimet në vend.

Më pas erdhëm me teorinë e privatizimeve shumë të shpejta, me idenë e reformave standarde. Deri diku kaloi edhe nëpër hiperbola të tipit acquis communautaire ballkanik. 

Nuk ka nevojë për një politikë të majtë apo të djathtë, por thjesht të bëjmë disa reforma standarde që na i kërkon BE, ndërkohë BE-ja është instrumenti, pra nuk është “brandi”, pra nuk është vizioni përcaktues. Është instrumenti përmes të cilit ia arrin te vizioni përcaktues.

Tani ne jemi në një fazë vendimtare, sepse shohim që qoftë modeli politik i përqendrimit të pushtetit në një dorë apo modeli ekonomik ku pasuria publike, prona ndahet vetëm në katër, pesë duar dhe ku tentohet për t'u përcaktuar e ardhmja ekonomike edhe për njëqind vitet e ardhshme në katër, pesë familje është një model i cili ka prodhuar një frustrim shumë të madh shoqëror.

Surroi: Të cilin ti e quan një kapitalizëm grabitqar.

Бусхати: Për mua është kapitalizmi grabitqar. Pse është kapitalizmi grabitqar? Sepse nuk ka asnjë vend në Europë apo në botën moderne në të cilën ne duam të integrohemi, që të ketë pasur një zhvillim të qëndrueshëm duke pasur kaq polarizim të madh saqë kemi ne në shoqërinë shqiptare.

Unë të lexoj rregullisht dhe e di që i ndan një pjesë të këtyre pikëpamjeve kur hyn në territorin e Shqipërisë dhe ti i kupton diferencat e thella dhe kontrastin e madh që ekziston edhe për shkak të punëve dhe angazhimit apo angazhimi im aktual, unë kam pasur mundësi që të shkoj në shumë kontinente. Nuk është një zhvillim në kuptimin evropian të fjalës.

Apo po të shohim Tiranën ka edhe brenda një lagje ka kontraste shumë të ndryshme, çka nuk flet për një zhvillim harmonik... 

Surroi: Është pothuajse Amerika Latine e fillimit të shekullit 20.

Бусхати: Absolutisht. Nuk doja ta përmend, por është absolutisht Amerika Latine e atyre viteve. Mënyra se si pasuria publike, sepse që në kohët e Napoleonit kur flasim për detin, kur flasim për malin, kur flasim për kodrën edhe në konceptin, në konceptin e së Drejtës civile janë pasuri e përbashkët, pra që duhet të zhvillohen në funksion të një qasjeje më komunitare.

Po të shohim vijën bregdetare tonën, e cila është rreth 400 kilometra dhe Tirana që është poli kryesor ekonomik i vendit, është shumë e vështirë për të folur për sensin komunitar. Është shumë e vështirë për të kuptuar nëse këto ndërtime janë në përputhje me nevojat dhe interesin e përgjithshëm shoqëror dhe prandaj mendoj që ne duhet të shkojmë nga ky kapitalizëm që gjatë këtyre viteve bazohet tek një ekonomi që i merr paratë, në një pjesë të rasteve në mënyrë të paligjshme apo nga aktivitetet e paligjshme, tek një ekonomi e cila bazohet kryesisht te, as turizmi jo, po tek “real estate”, pra tek zhvillimi i pasurisë së paluajtshme drejt një ekonomie e cila bazohet tek dija, sidomos në kushtet e zhvillimeve vrullshme teknologjike dhe në kushtet kur ne duhet domosdoshmërisht të ndërtojmë një mekanizëm ndërlidhës më të mirë mes edukimit dhe tregut të punës. 

Se në Mesdhe është shumë e vështirë që Shqipëria të konkurrojë apo ta ketë avantazh krahasues një ekonomi që bazohet tek turizmi dhe për më keq në rastin tonë edhe tek ndërtimtaria.

Surroi: Por njëra nuk duhet ta mohojë tjetrën. Domethënë, pse mos të bashkëjetojnë turizmi, industria e ndërtimit me këtë që po thua ti, industria e dijes?

Бусхати: Po absolutisht, por ajo që po më shqetëson mua dhe sidomos vitet e fundit është që ne po humbim autenticitetin. Ne po humbim jetën në komunitet. Ne po humbim një bashkëjetesë ndërmjet asaj që konsiderohet zhvillim dhe modernitet dhe resurseve natyrore.

Po e marr për shembull rastin e Dhërmiut. Dhërmiu është një nga perlat e bregdetit jonian, do të thoja unë përgjithësi dhe jo thjesht Shqipërisë. Në rast se shohim çfarë ka ndodhur në Dhërmi dhe unë e them me shumë dhimbje, ne nuk kemi një gërshetim të parisë së Tiranës, “pari” është fjalë e madhe, po atyre që kanë ndërtuar në Dhërmi dhe banorëve të zonës, çfarë e shohim për shembull në Greqi, çfarë unë e shoh në Kroaci, ku ka një incentivim për të gërshetuar apo për t'i vendosur në një balancë më të drejtë nevojat e komunitetit, ruajtjen e historisë dhe trashëgimisë natyrore, asaj që na ka falë Zoti dhe natyra, me nevojën për të tërhequr më shumë njerëz, më shumë turistë dhe për ta për ta zhvilluar në përputhje këtë zonë.

Së dyti, kur flasim për një ekonomi që bazohet tek dija, duhet të kemi parasysh që kjo reformë duhet të fillojë që në klasën e parë. Pra, kjo reformë duhet të fillojë që tek mënyra se si ne incentivojmë studentët dhe brezin e ri për matematikën; mënyra se si ne i incentivojmë ata për gjuhën shqipe; mënyra se si incentivojmë ata për të mësuar një gjuhë tjetër dhe jo gjuhën që mësohet thjesht përmes rrjeteve sociale; leximin... dhe më pas për të kuptuar se cilat janë avantazhet e krahasuara të ekonomisë shqiptare, një prej të cilave është energjia për shkak të motit dhe për shkak të dinamikave që ne kemi në rajonin ku ndodhemi. 

Surroi: Ma preku veshin përdorimi i fjalës komunitare disa herë. Ti je socialist, anëtar i Partisë Socialiste, njëri prej udhëheqësve të saj prej kohësh. Si është e mundur që të zhvillohet politika anti komunitare prej një partie, e cila do të duhej të ishte mu kjo, që angazhohet, domethënë në thelbin e saj është komuna, komuniteti.

Бусхати: Shiko, për fat të keq ne kemi një zhvendosje drejt atyre elementëve kryesorë që përbëjnë fabrikën sociale me politikat që janë ndjekur dhe me atë që unë e quaj kapitalizmi grabitqar, sepse një ndër elementët kryesorë, ose debatet kryesore që bëhen në botë, është raporti mes punës dhe kapitalit. Një. Dhe për njerëzit që besojnë në vlerat e qendrës së majtë është shumë vlerësimi i punës duke e mbajtur disi kapitalin në një kontroll të pranueshëm për shoqërinë.

Për shembull, mua më bezdis shumë fjala e politikanëve në Shqipëri kur thonë që “X biznesmen mban me bukë” apo “X oligark mban me bukë treqind apo tre mijë familje”.

Unë besoj se ne duhet të respektojmë çdo sipërmarrës që ndërmerr një risk të caktuar që vendos të investojë në shoqëri, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë që suksesi është produkt i përbashkët i gjithë ekipit që e rrethon atë, i punëtorëve, pavarësisht arsimit që ato kanë dhe pavarësisht se ku ato shërbejnë për kontributin e asaj ndërmarrjeje, asaj sipërmarrjeje, por edhe ai kontribut duhet të jetë një kontribut për shoqërinë shqiptare.

Së dyti, unë mendoj që për ne është shumë e rëndësishme për të pasur një raport më të drejtë mes asaj që konsiderohet qendra dhe periferia. Po të shohësh e majta sot për sot në botë apo në Europë po vuan pikërisht nga kjo mungesë e balancës. Një mungesë balancës e cila vihet re edhe në politikat tona.

Surroi: Po ti po i bën krahasimet brenda një standardi evropian.

Бусхати: Për fat të keq!

Surroi: Ndërkohë që u pajtuam që në fillim që kemi të bëjmë me një sistem i cili i ngjason Amerikës Latine të fillimit të shekullit 20. Pra, nëse kjo është e vërtetë, nëse kjo është premisë e bisedës, atëherë kemi të bëjmë me një socializëm i cili është më afër atyre që e krijuan një kapitalizëm grabitqar në Amerikën Latine sesa diçka që është afër Evropës.

Бусхати: Absolutisht. Dhe kjo është arsyeja dhe po të shohësh buxhetin e shtetit në Shqipëri.

Dakord, dikush mund të thotë fare mirë që po shiko, po kërkon qiqra në hell se Shqipëria është një vend ende i varfër nga pikëpamja e standardeve evropiane. Por buxheti i Shqipërisë krahasuar me buxhetin evropian, pra buxheti evropian është rreth 19-20 fish, mesatarja e vendeve evropiane shpenzon rreth 20 fish më shumë se buxheti i Shqipërisë për çështjet sociale dhe për çështjet shëndetësore.

Pra, ndjeshmëria ndaj elementit social në politikën ekzistuese në Shqipëri është thuajse zero dhe është reflektim i kësaj mendësie, të këtij kapitalizmi grabitqar, ku synimi kryesor është dominimi i gjithckaje, pra dominimi i tregut jo vetëm politik, dominimi i tregut mediatik, dominimi i resurseve në tre, katër apo pesë duar njerëzish.

Dhe kjo natyrisht shkakton emigrim, shkakton mungesë besimi për të ardhmen e vendit dhe natyrisht edhe një polarizim shumë të madh ekonomik e shoqëror.

Surroi: Tash ta vendosim pak në, në rolin e avokatit të djallit dhe kundërargumenti është ky: Shqipëria kurrë nuk ka qenë më mirë.

Бусхати: Shqipëria është më e zhvilluar nga pikëpamja e infrastrukturës. Është më e zhvilluar nga pikëpamja e estetikës, megjithëse këtu ka një diskutim shumë të madh, sepse...

Surroi: ...si për çdo gjë estetike...

Бусхати: ...si për çdo gjë estetike. Të gjitha gustot, siç është ajo shprehja për italianët, të gjithë gustot janë të drejta dhe të pranueshme. 

Por ky zhvillim nuk reflektohet në një modernizim institucional të vendit, në një ndarje dhe kontroll mes pushteteve në mënyrë të balancuar.

Nuk reflektohet në një demokraci evropiane që ne do të duhet që të ishim ose supozohej që të ishim, duke qenë se ikëm nga 2030-a, pra objektivi për 2030-ën ose ëndrra për 2030-ën natyrisht që është ajo që e thamë në krye të kësaj bisede. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe në raport me pushtetin vendor. Pra, ku sot ne nuk shohim asnjë autoritet, as vendor, as parlamentar, as qeveritar, me përjashtim të pushtetit të zyrës së kryeministrit.

Dhe Shqipëria nuk është se ka vuajtur nga mungesa e pushtetarëve të fortë. Pra, ne kemi kaluar regjime dhe sisteme që janë bazuar tek pushteti i një individi.

Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e demokracisë dhe në ato pak sekuenca historike ku ne kemi përjetuar një fllad demokracie apo një fllad lirie, kemi ndërmarrë progres shumë më të madh në kuptimin modern, në kuptimin institucional.

Po kështu nga pikëpamja e ekonomisë, po të shohësh sot për sot ekonominë shqiptare, ne jetojmë në atë proces që ka vite që ka nisur, që unë e quaj deevropianizimi i kapitalizmit në Shqipëri, që do të thotë kompani me një reputacion të admirueshëm ndërkombëtar janë blerë nga oligarkë shqiptarë. Unë nuk kam asgjë kundër me kapitalistët shqiptarë, por duhet të ketë një balancë më të drejtë dhe më të mirë mes prezencës së kapitalit ndërkombëtar dhe kapitalit shqiptar që do ta mbante disi nën kontroll ekonominë dhe, dhe politikën shqiptare.

Surroi: Prapë një kundërargument. Pse nevojiten krejt këto balanca, kundërpesha, demokraci etj., nëse pesë vitet e kaluara demonstruan se mund të kesh një zhvillim dramatik në turizëm, në të ardhura, në prani. Aeroporti i Tiranës është aeroporti me më së shumti fluturime në Ballkanin Perëndimor, në regjion. Vendi po zhvillohet në formë..., me aq vrull sa duhet të importojë fuqi punëtore nga Azia.

Бусхати: Shiko edhe në fillim të viteve ’90 kur ne u përballëm me ndërtimet e para të paligjshme po them në Shqipëri dhe me një lloj shpërfillje totale ndaj rregullave të ndërtimit dhe ndaj natyrës, kundërargumenti ishte që, shiko, ne kemi qenë të izoluar për rreth 45 vjet; ka ekzistuar një kontroll mjaft i rreptë i mënyrës se si lëviznin shqiptarët edhe brenda Shqipërisë. Pra, në qoftë se ti ishe në Durrës, nuk mund të vije të jetoje në Tiranë. Do të ishte partia dhe shteti që përcaktonte fatin tënd dhe ky është kapitalizmi, ne duhet të mbështesim iniciativën e lirë e kështu me radhë.

Edhe kur filluan ndërtimet e para në Tiranë, pra kur filluan të ngriheshin grataçelat e para apo kullat apo qiellgërvishtëset, sido që t'i quajmë, dikush mund t'i shohë këto si zhvillim. Në fakt po shohim që një pjesë e këtyre kullave janë bosh. Në rastin më të mirë, pra kemi një ngurtësim të parave në beton; një ekonomi që mund t'i mbajë për një, dy, tre apo pesë vite njerëzit në punë, sepse qarkullohet një para e caktume, punojnë disa firma ndërtimi, punojnë disa njerëz, por Tirana ka shumë më tepër ndërtime apo kulla seç ka Zagrebi, bie fjala.

Dhe nuk ka më një koncept mes asaj që konsiderohet zonë historike dhe zonë e re që duhet të jetë në zhvillim e sipër. Dhe kur sheh praninë e kapitalit ndërkombëtar në Zagreb dhe në Tiranë nuk i krahason dot, saqë pyetja e parë nuk duhet të jesh ekonomist, t'i shtrosh pyetjen vetes që si ka mundësi me çfarë parash ngrihen, sepse shifrat e bankave sipas raportit të Bankës së Shqipërisë nuk na japin një raport të drejtë mes kullave që ngrihen dhe kreditimit.

Dhe së dyti nuk kemi një raport të drejtë mes kullave që ngrihen dhe pranisë së investitorëve shqiptarë apo investitorëve të huaj në tregun shqiptar. E njëjta gjë mund të themi edhe për edhe për turizmin.

Shiko, Greqia është vendi që ka vijën bregdetare më të madhe në Europë rreth 14 mijë kilometra është një vend që ka traditë në këtë fushë. Ka histori një pjesë e ishujve në Greqi dhe vendeve turistike kanë realisht histori mjaft të madhe dhe më të zhvilluar dhe më të mbrojtur krahasuar me vendet e tjera rreth e përqark. Po e lë pak mënjanë Italinë dhe Greqia edhe sot e kësaj dite është te grupi i vendeve me të ardhura mesatare. Pra nuk e ka bërë kapërcimin për të shkuar te grupi i vendeve me të ardhura të larta, sepse në asnjë vend në botë nuk ka arritur ta bëjë këtë gjë përmes turizmit. Po ne duhet ta zhvillojmë turizmin. Po ne duhet ta mbrojmë natyrën, por turizmi duhet të jetë një prej një prej sektorëve.

Dhe kur ne flasim për zhvillimin e sektorit të turizmit, ne minimalisht duhet të jemi në gjendje të tregojmë që zhvillimi i sektorit të turizmit vjen në raport drejt edhe me zhvillimin e sektorit bujqësor. Por vitet e fundit, dy vitet e fundit shifrat tregojnë që më shumë ka përfituar sektori bujqësor në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë nga turizmi në Shqipëri, se vetë sektori i bujqësisë në Shqipëri për shkak braktisjes së fshatit, por edhe për shkak të një mentaliteti do të them unë të papranueshëm, sipas së cilit tanimë është më kollaj të kultivosh një bimë kanabisi apo të merresh me një aktivitet të paligjshëm në Shqipëri për fat keq, sesa të mbjellësh perime, të kultivosh varietete të ndryshme apo zarzavate, fruta e kështu me radhë.

Surroi: Mirë. Prapë një kundërargument, të cilin e ka filluar, e ka demonstruar më së miri Kina. Po ikim prej Amerikës Latine. Amerika Latine demonstroi se mund të kesh një zhvillim deri në një moment, por pastaj shpërthyen revolucionet atje edhe, edhe u çrregullua.

Por Kina demonstroi se nuk ke nevojë për demokraci për t'u zhvilluar. Pra, në analogji, Shqipërisë nuk i nevojitet një parlament i balancuar, i cili do të kontrollojë pushtetin, përderisa ky pushtet prodhon të mira materiale. Rroga mesatare në Shqipëri ka shkuar diku mbi një mijë euro. Pra, njerëzit jetojnë më mirë seç kanë jetuar ndonjëherë.

Dhe kundërargumenti është ky: pse na nevojiten instrumentet e demokracisë nëse zhvillimi ka qenë më i hovshëm deri më sot? Pse duhet unë t'i jap llogari një parlamenti si kryeministër, kur unë kam dëshmuar se mund t'i mbledh arkitektët më të mirë të botës dhe ata ma projektojnë, më japin projektet më të mira në këtë botë.

Бусхати: Nuk e di të nis nga fundi apo nga fillimi, po në lidhje me Kinën...

Surroi: Gjithkund janë lidhur bashkë... 

Бусхати: Në lidhje me Kinën unë kam qenë së fundmi në fillim të korrikut sërish në Kinë. Vij nga një eksperiencë gjithashtu së fundmi në SHBA, ku në një prej universiteteve më të mira të botës, siç është Harvardi, një nga diskutimet kryesore ishte zhvillimi në Kinë dhe natyrisht raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Dhe ka një pothuajse konsensus ndërmjet studiuesve që Kina është një rast i veçantë edhe për faktin se është një nga civilizimet më të vjetra në planet dhe mënyra se si është zhvilluar ajo.

Megjithatë, në rastin e Kinës nuk duhet të harrojmë disa komponentë të rëndësishëm. Së pari është një lloj “enlightened autocracy”, në sensin që nivelet e caktuara të administratës kineze janë të mirëshkolluara dhe është bërë një super investim në kapitalin njerëzor në Kinë gjatë 40-50 viteve të fundit.

Surroi: Nëse mund të ndërpres edhe tash. Shqipëria natyrisht është shumë, shumë e vogël. As, as nuk krahasohet, domethënë nuk po e marrim si pikë krahasuese në këtë drejtim.

Elitat politike të Shqipërisë gjatë këtij shekulli kanë qenë gjithnjë e më të edukuara sesa më herët. Domethënë nuk i ka munguar. Ka njerëz me PhD, ka njerëz me masterë, ka...

Бусхати: Jo, ne nuk është se na mungojnë njerëzit e shkolluar, se një e treta e shqiptarëve jetojnë Perëndim dhe një pjesë e të cilëve kanë bërë sukses nëpër institucione prestigjioze. Problemi që kemi ne është me përfshirjen e kësaj energjie pozitive në procesin politikbërës dhe në procesin vendimmarrës.

Mua do më pëlqente deri diku, unë jam ithtar i demokracisë, nuk do më pëlqente ndoshta ai model, por deri diku mund të më pëlqente për ta krahasuar Shqipërinë apo vendet tona me Singaporin, duke qenë se është një model i vrullshëm i zhvillimit ekonomik dhe njerëzor, por...

Surroi: ...jo domosdoshmërish shumë demokratik.

Бусхати: Por jo demokratik. Dhe mua më kanë bërë shumë përshtypje vizitat atje, biseda me kryeministrin e vendit ku flasim për një vend që nuk kishte as ujë të pijshëm. 

Pra dhe mënyra si është zhvilluar dhe atëherë më pat thënë kryeministri i Singaporit: “...që në dallim prej jush, ju jeni me fat, ju keni burime njerëzore, ju keni burime natyrore, ju keni mundësi si ta zhvilloni ekonominë. Neve për shkak se s'kishim as ujë të pijshëm, dhe ky është komponent kyç për sigurinë kombëtare, ne na u desh që të shkripëronim ujin dhe sot jemi një nga vendet që eksportojmë më shumë ujë dhe ne na u desh të investojmë fort tek burimet njerëzore dhe t'i vendosim burimet njerëzore në funksion të zhvillimit të vendit”.

Kjo është diçka që mungon te rasti i Shqipërisë. Më thuaj, për shembull, një përfshirje të diasporës shqiptare në një sipërmarrje publike në Shqipëri. E përmende aeroportin e Rinasit, për shembull, janë modele që e kanë bërë irlandezët. Nuk po them Izraeli po e po, e kanë bërë vendet baltike ku një e treta apo pesëdhjetë për qind apo ku e di unë, të aksioneve në një sipërmarrje që ka impakt më të fortë në jetën ekonomike të vendit është në duart e njerëzve që janë në diasporë, sepse ata kanë mundësi për të blerë aksionet dhe kanë mundësi për të sjellë një mentalitet më, le të themi, më perëndimor në zhvillimin e kësaj sipërmarrjeje.

Surroi: Pse çka i pengon? 

Бусхати: Sepse s'ka një politikë.

Surroi: Çka i mungon aeroportit të Rinasit?

Бусхати: Sepse s'ka një politikë. E mora Rinasin si shembull, por mund të jetë një rast tjetër. Mund të jetë një kompani tjetër në fushën e energjisë, nuk e di. Pra, po e marr shembullin për të thënë se si ti si vend përpiqesh që t'i përfshish njerëzit që jetojnë në diasporë apo njerëz që janë të mirëshkolluar në qeverisjen e vendit. Rasti i Singaporit dhe Kinës. 

E dyta, për shembull, universitetet kineze. Universitetet kineze sot për sot renditen, se po duket sikur po bëjmë reklamë Kinës, renditen në 10-15-in e universiteteve më të mira në botë. Pra është bërë një super investim i madh në atë drejtim.

Tre. Teknologjia. Unë kisha dhjetë vjet pa shkuar në Pekin. Unë nuk e njoha Pekinin, sepse mënyrën se si ata kanë punuar me teknologji në dekadën e fundit, sepse kanë pasur dhe kanë ende një problem shumë të madh mjedisor, një sfidë shumë të madhe, është thjesht mbresëlënëse. Pra ka disa fusha ku...

Surroi: Po, po dua të mbërrij deri te një pikë dhe kjo është, ekziston një konsensus shoqëror në Kinë gjatë këtij shekulli, që nëse qytetarët nuk kërkojnë më shumë të drejta, nuk kërkojnë kontroll parlamentar, por i japin besim të plotë udhëheqjes së ndritur, ajo udhëheqje e ndritur dhe ai sistem i ndritur do të krijojë benefite për tërë shoqërinë dhe ky sistem ka funksionuar. Dhe replikimi i tij është bërë edhe në disa vende të tjera. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kërkojnë balancën demokratike parlamentare, transparencën e tjera, por kërkojnë një qeverisje të aftë, të zhdërvjelltë dhe përderisa ekziston një i tillë, jep zhvillim, kjo mund të bëhet. Pse mos të replikohet kjo në Shqipëri?

Бусхати: Së pari i referohem traditës tonë. 

Tradita jonë e përqendrimit të pushtetit në pak duar apo një dorë është një traditë përgjithësisht gjakatare. Nuk është një traditë e ndritur, pavarësisht se edhe po t'i shkosh regjimeve të ndryshme në Shqipëri, sado gjakatarë të kenë qenë në momente të caktuara, mund të duket sikur ka një zhvillim dhe ka një hov që është investuar në sektorë të ndryshëm.

Surroi: Tash nuk kemi të bëjmë me një kryeministër i cili arreston njerëz për fjalë goje.

Бусхати: Jo, absolutisht, por sistemi i përqendrimit të pushtetit në pak duar, të paktën në sisteme si puna e Shqipërisë po na tregon që shoqërohet me një korrupsion shumë të madh në nivele të larta shtetërore. Po na rezulton që shoqërohet me asfiksimin e garës në ekonomi dhe me një lloj pronësie të çdo gjëje që ka të bëjë me territorin e vendit dhe kjo sjell, kur nuk shoqërohet me investime, sidomos në kapitalin njerëzor, çka është edhe rasti jonë, sepse është e vërtetë që njerëzit janë më të shkolluar, por janë më të shkolluar përgjithësisht për shkak të investimit të tyre dhe të familjeve nga të cilat ato vijnë dhe jo për shkak të një politike shtetërore për t'i dhënë edukimin më të mirë dhe më të cilësor të mundshëm dhe kjo është një diferencë shumë e madhe edhe me Singaporin po të doni.

Edhe universiteti i Singaporit renditet sot si një nga universitetet më të mira në botë. Çka ne nuk kemi asnjë nga këto komponentët e tjerë për të bërë kompromis me mungesën e demokracisë. 

Surroi: Dhe këtu është momenti kthesë në Shqipëri, më duket. Këto që përshkrove është momenti kur qytetarët të cilët kanë qenë pjesë e konsensusit, sepse këta të Flamingos nuk është se kanë qenë opozitarë të njohur, figura që kanë mbajtur pozicion politik, por është një pozicion i cili thotë "Nuk dua më të jem pjesë e këtij konsensusi", domethënë, “pushteti i përqendruar në një dorë i jep një ishull një grupi investitorësh, premton katër miliardë dollarë investime, por nuk më pyet mua si qytetar”.

Бусхати: Unë e kam parë të gjithë valën e protestave në Shqipëri si një akumulim të frustrimit popullor dhe pikërisht nga...

Surroi:-Ka qenë shkasi, domethënë, apo jo?

Бусхати: Po. Mendoj që Zvërneci ishte pika e derdhjes. Pra dhe mendoj që sidomos njerëzit dolën fillimisht, nuk diskutohet për Zvërnecin dhe për ndjeshmërinë e tyre ndaj mënyrës se si trajtohet pasuria e përbashkët, pasuria natyrore, por për çështje ditësh dhe javësh u transformua në një protestë apo në një frustrim popullor se kush vendos për çfarë dhe si merren vendimet për të ardhmen tonë të përbashkët.

Frustrimi mendoj se ishte për shkak të një aleance të dëmshme që në Shqipëri është zhvilluar prej shumë vitesh, duke u shpërfillur deri diku dhe duke mbyllur deri diku sytë edhe komuniteti ndërkombëtar, një aleancë mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar, pra elementëve të caktuar të katër këtyre fushave që kanë sjellë këtë lloj polarizimi të madh; rritje të kostos së jetesës duke bërë jetesën, duke filluar nga Tirana, të papërballueshme.

Tirana nuk është një qytet ku flitet për përfshirje, por është një qytet që është... 

Surroi: Kostoja e banorit të Shqipërisë është katër pikë më e lartë se e banorit të Italisë, të Greqisë...

Бусхати: Absolutisht! Çmimet bazë të ushqimeve në Tiranë te i njëjti supermarket po të duash me të njëjtin supermarket në Romë janë më të larta. Çmimet e qirave, ndërkohë që ka një stok shumë të madh të banesave të pashitura në Tiranë janë shumë më të shtrenjta. Dhe mos të harrojmë që elementët bazë utilitar, pra uji pijshëm, furnizimi me energji elektrike etj., janë ende një sfidë më vete në Tiranë.

Prandaj po them që mënyra se si ajo që konceptohet si zhvillim, nuk është shoqëruar me modernizim. Është më tepër një proces fasadë ku natyrisht përgjegjësitë e mëdha e kanë edhe arkitektët që ju i përmendet pak më parë dhe me erdhi mirë që e përmendni, sepse ajo çka po shoh unë në rrugët e Tiranës është që po rritet një brez i ri, i cili nuk ka më kompleks ndaj të ashtuquajturve “emra të mëdhenj”, që e kanë pranuar vetë, që kanë vendosur të vënë firmën e tyre, emrin e tyre në këmbim të marrjes së shumave astronomike, nuk diskutohet, për godinat të cilët ata nuk janë në gjendje as t'i mbrojnë në publik dhe për projekte të cilat ata nuk janë në gjendje t'i mbrojnë as në publik.

Pse? Pikërisht për shkak të avokatit të djalli që u bëtë, pikërisht për shkak të faktit që jetojmë në një sistem ku nuk ka shumë rregulla loje, ku nuk ka shumë llogaridhënie dhe ku nuk ka shumë kontroll, sepse të njëjtët arkitektë në Hollandë dhe në Danimarkë për firmën që vendosin për projekte të caktuara duhet që të ballafaqohen jo vetëm me institucionet respektive, por edhe me opinionin publik dhe janë shkruar periudhën e fundit recenza, sidomos në Hollandë, shumë të, le të themi, të hidhura kundrejt këtyre arkitektëve, të cilët kanë pranuar të vendosin firmën për projekte fantazmagorike në Shqipëri.

Surroi: Njëri prej tyre në librin e tij thotë që arkitektëve u pëlqejnë absolutistët e ndritur. 

Бусхати: Absolutisht dhe kjo është. Ne kemi parë këtë në histori që nga Roma e Lashtë e deri në ditët e sotme. Pra, s'ka nuk ka ndonjë gjë të re në këtë drejtim. 

Surroi: Mirë. Motori kryesor ose ndër motorët kryesorë të financimit të këtij lloji të zhvillimit është qartazi pastrimi i parave ose aludohet të jetë pastrimi i parave nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Shqipëria në fakt i ka hapur dyert legalizimit të parave pa pyetur për origjinën e tyre. Si reflektohet kjo në një strukturë jo vetëm pushtetit, por në strukturën sociale në përgjithësi?

Бусхати: Besoj se laitmotivi i kësaj bisede është i qartë në këtë pikë që ne kemi një gjakderdhje ose hemorragji në aspektin njerëzor, sepse gjatë dhjetë viteve të fundit shumë njerëz e kanë lënë Shqipërinë dhe kjo jo thjesht më për motive ekonomike, siç kanë qenë fazat e para të emigrimit të shqiptarëve, sidomos pas '90-ës dhe pas ngjarjeve dramatike të '97-s, por dhjetë vitet e fundit është deri diku një lloj refuzimi për këtë lloj modeli: pra, zhvillim, e para jomodernizim, e dyta joharmonik, pra me elementët e tjerë që konsiderohen si ekonomia e jetës në një shoqëri. Së dyti, po përjetojmë një proces dramatik me tkurrjen e shtresës së mesme dhe kjo na kthen edhe një herë tjetër te debati e majtë e djathtë. Pra, ky duhet të ishte shqetësimi kryesor për Partinë Socialiste dhe për këdo që minimalisht beson tek vlerat e qendrës majtë... 

Surroi: Dhe ideja e kurrizit të funksionimit të demokracisë me një klasë të mesme, me një shtresë të mesme.

Бусхати: Dhe po të shohim protestën në Shqipëri është protesta e shtresës mesme. Pra është një grup njerëzish ose shtyllë kurrizore që punojnë në sektorin e IT-së, teknologji, në sektorin bankar, kryesisht në sektorin privat, të cilët është e vërtetë që mund të paguhen më mirë se para 10 apo 15 viteve, por për shkak të kostos së jetesës, për shkak të penetrimit të parave që vijnë nga aktivitetet e paligjshme në xhepin e tyre mbeten shumë më pak para.

Surroi: Dhe janë më të pasigurt fizikisht.

Бусхати: Dhe janë më të pasigurt për çfarëdo. Dhe së treti, përveç shtresës mesme kemi brezin e fëmijëve të viteve '90. Pra fëmijët e viteve '90 janë rritur dhe tanimë janë në punë ose janë në universitet, pak a shumë, me të njëjtët fytyra dominuese në skenën politike të Shqipërisë.

Dhe kur unë bëj analizat e mia me vendet e tjera të rajonit, pra në Kosovë, duam, s'duam, e kritikojmë e mbështesim, e kemi inat klasën aktuale politike, ata që qeverisin, por edhe ata që janë në opozitë, përgjithësisht është një brez tjetër.

Në Mal të Zi kemi një brez tjetër, në Maqedoni kemi një gjeneratë tjetër në pushtet. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është Shqipëria dhe Serbia.

Serbia për shkak të pasojave të luftës etj., ku Vuçiqi e Daçiqi e të tjerë janë epitoma të kohës së Millosheviqit dhe Shqipëria ku kemi dyshen dominuese që nga ’90-tat përgjithësisht e deri në ditët e sotme.

Mendoj që kjo është një tjetër arsye pse fëmijët e tranzicionit apo fëmijët e viteve ‘90 që nuk e dinë as se kush ishte Enver Hoxha, dinë vetëm dy apo tre emra nga politika shqiptare. Për ta është e vështirë t'i thuash edhe se kush ishte Fatos Nano. Dhe këtë e them me një lloj dhimbjeje. Pra është e vështirë t'i thuash edhe se kush ishte Gramoz Pashko.

Pra, sepse e gjithë politika shqiptare është e dominuar në dy apo në tre emra dhe po bëhen rreth 40 vite. Mos ta harrojmë komunizmin në Shqipëri qëndroi për 45 vjet.

Surroi: Si interpretohet, pos faktit që nuk ka ndryshim në dy, apo ndoshta për shkak të faktit se nuk ka ndryshim në struktura që të ketë aq afërsi mes pushtetit në Shqipëri dhe pushtetit në Serbi?

Ndonëse burojnë nga situata historike krejtësisht të ndryshme dhe si karaktere, domethënë, kemi të bëjmë me karaktere të ndryshme njerëzore, me rritje të ndryshme, me aspirata të tjera. Pse kaq afërsi?

Бусхати: Me thënë të drejtën, unë e them nganjëherë edhe me shaka, po shakaja është gjysma e të vërtetës, është se në qoftë se do të kuptosh Serbinë, duhet të vish në Kosovë dhe duhet të flasësh me njerëzit e tu apo në qoftë se s'vjen në Kosovë, duhet të shkosh në Kroaci, në Zagreb, që të kuptosh pak a shumë ndjeshmërinë për sa i përket Serbisë.

Duhet të them që përgjithësisht politika shqiptare nuk e njeh Serbinë. Është artificiale në rastin më të mirë dhe është e gabuar në rastin më të keq, kjo lidhje e ngushtë mes pushtetit në Serbi dhe pushtetit në Shqipëri. Flas gjithmonë nga ana jonë, sepse nga ana e pushtetit në Serbi është shfrytëzuar me mjeshtëri për të bërë dallime dhe kategorizime mes shqiptarëve të ndryshëm, shqiptarëve të mirë gjoja dhe modernë që janë shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarëve kokëfortë dhe të pagdhendur dhe që nuk meritojnë të kenë asnjë shtet sovran, të shqiptarëve të Kosovës.

Jam habitur që periudhën e fundit ky lloj kategorizimi po bëhet edhe mes shqiptarëve të Maqedonisë, pra mes shqiptarit të mirë dhe shqiptarit të keq.

Ne nuk duhet të kemi kompleks ta themi që edhe për shkak të historisë ne nuk e njohim Serbinë dhe ne duhet ta shohim Serbinë përmes syve të Kosovës. Kjo nuk do të thotë që as mos të ulemi në tavolinë apo të kemi një qëndrim armiqësor ndaj Serbisë; kjo nuk do të thotë që të mbetemi peng apo në burgun e historisë, përkundrazi. Por neve na nevojitet historia dhe unë e shoh dhe dy komponentët kryesorë, sidomos në politikë të jashtme janë historia dhe gjeografia, për këdo mendimtar dhe për këdo praktikues të politikës së jashtme në çdo lloj shekulli që të ketë operuar këto janë dy komponentë që nuk i shmang dot. 

Të dyja këto komponente, për fat keq, në rastin më të mirë nuk kuptohen nga pushteti në Tiranë. Në rastin, në rastin më të keq kanë krijuar një lloj stabiliteti fallco dhe një lloj partneriteti në vallëzim fallco me argumentin që në Beograd dhe në Tiranë janë çelësat e stabilitetit rajonal.

Është e vërtetë që Beogradi dhe Tirana në kontekstin e Ballkanit Perëndimor me gjashtë shtete luajnë një peshë dhe kanë një peshë të rëndësishme, por edhe në planin historik, por edhe në qoftë se do t'i shohim dinamikat aktuale, faktori shqiptar, të paktën që me Lidhjen e Prizrenit, nuk ka qenë dhe nuk është një faktor shqiptar që mund të drejtohet nga një çoban apo një nga një bari, kudo që të jetë i ulur ai apo ajo në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkup apo në, apo në Ulqin.

Ndërkohë që është ndryshe situata me Serbinë. Mendoj që kjo gjithashtu, ky lloj raporti ka krijuar një efekt përçarës tek faktori shqiptar, kudo që jeton ai në rajon dhe janë elementë të cilët kërkojnë një korrektim të domosdoshëm në vitet në vijim.

Në qoftë se do t'i riktheheshim bisedës dhe pyetjes së parë për 2030-n, do ta imagjinoja apo do të dëshiroja dhe një Shqipëri me një raport më të shëndetshëm që shkon përtej raportit personal, me Serbinë. Kur them më të shëndetshëm, me dritëhijet dhe me problematikat që ka ky raport të cilat duhen përballur në disa fronte.

Surroi: Njëra prej arsyeve pse nuk je ministër apo pse nuk mbete ministër ishte mu kjo ose arsyeja kryesore , në fakt ishte kjo, e raporteve Shqipëri Serbi.

Бусхати: Tani kjo është arkivuar në histori.

Surroi: Tashmë dihet, ë?

Бусхати: Jo, nuk mund të them as që dihet as që s'dihet se nuk kam dëshirë të flas për çështje që kanë të bëjnë me qëndrimet e mia, por kjo ka qenë një pikëpamje ime e njohur në raport me Serbinë dhe vazhdon të mbetet. Edhe me faktorin shqiptar në përgjithësi.

Surroi: Domethënë, në vitin 2030, në një skenar pozitiv do të shohim prapë si ministër të Jashtëm, tash në marrëdhënie më të shëndosha me Serbinë.

Të kthehemi te pushteti në Shqipëri dhe te lëvizja e cila është kundër pushtetit është një lëvizje organike, e cila e ka një dinamikë të vetën, e ka një vetëushqeshmëri të vetën, domethënë nuk ka nevojë për një dirigjim politik. Këtë e ka demonstruar gjatë verës.

A kemi të bëjmë me një lëvizje e cila është kundër Ramës dhe synon rrëzimin e Ramës apo synon rrëzimin e sistemit?

Бусхати: Mendoj se kemi të bëjmë me një lëvizje që synon një Shqipëri krejt tjetër. Pra, jo më kot flasin për një Shqipëri re apo modelin e një Shqipërie të re. Pra, kemi, kemi të bëjmë me një lëvizje e cila po kërkon një fushë loje. Në Shqipëri mungon për momentin fusha e lojës dhe...

Surroi: Shpjego më tutje...

Бусхати: Një fushë loje, pra futbolli ka disa rregulla. Në radhë të parë duhet të kesh një fushë. Fusha duhet të jetë e ndarë barabartë. Duhet të ketë dy porta. Duhet të kenë secila nga skuadrat nga 11 futbollistë në lojë dhe natyrisht ka dhe spektatorë. 

Në Shqipëri për momentin, dhe ky është një proces që në analizën time ka filluar që në vitin 2017, kur ne nga një qeveri në koalicion me zgjedhjet e 2017-ës, me marrëveshjen mes PS/PD-së kaluam në një qeveri me një parti të vetme, nga ai moment dhe deri në këtë moment që flasim ka pasur disa zhvillime dramatike: djegia e mandateve nga ana e Partisë Demokratike që çoi në një parlament totalisht njëngjyrësh dhe do të thosha deri diku qesharak sepse nuk përfaqësonte vullnetin e popullit, pra ishte, mendoj, një gabim historik i lidershipit të Partisë Demokratike të kohës.

Zgjedhjet vendore që u bënë, ku Partia Demokratike bojkotoi, por pasoj PS mori njëqind për qind të pushtetit vendor. Pra, kishte një lloj obeziteti dhe një lloj mungese kontrolli dhe mekanizmash kontrolli parlamentar, të shoqëruar me mungesën e kontrollit të brendshëm dhe me...

Surroi: Partiak.

Бусхати: Partiak dhe me eliminimin e personaliteteve politike dhe njerëzve, sepse unë gjithmonë e kam krahasuar politikën me një orkestër. Pra dirigjenti është kryetari i partisë politike, por ka një orkestër ku secili luan një vegël muzikore, i bie një vegle muzikore dhe instrumentistët krijojnë një lloj harmonie dhe një lloj melodie që është e pëlqyeshme për veshët e qytetarëve.

Tanimë ne kemi, kemi shkuar në një model ku nuk ka nevojë të dallosh një politikan nga një politikan tjetër. Nuk ka nevojë që të ketë personalitete politike. Ti mund të votosh për parti politike, por të nesërmen mund të jetë dikush tjetër në qeveri apo në krye të punëve të vendit, sepse kjo nuk varet nga vullneti i qytetarëve, por kjo varet nga dëshira e liderit politik.

Ndërkohë që kudo në botën demokratike ne e dimë që kur vjen puna te procesi i përzgjedhjes politike ka pak surpriza, sado i fortë dhe sado karizmatik që të jetë lideri. Pra edhe Donald Trumpi, që konsiderohet një politikan atipik, kur vjen puna te formimi i qeverisë kishte pak surpriza në pozicionet kyçe të administratës, sepse sado karizmatik dhe sado i fortë të jetë, gjithmonë ekziston nevoja për një lloj balance brenda partisë dhe me elektoratin që ti përfaqëson.

Po kështu edhe nga ana tjetër e spektrit politik. Pra kemi më tepër atë që konsiderohet kryetarokracia dhe një sistem i cili është i mbyllur me një injektor të mbyllur dhe që natyrisht kishte kohë që prodhonte pakënaqësi.

Vitet e fundit u shtua edhe një element, një aktor i ri në lojë, në qoftë se do ta them kështu, SPAK-u. Pra prokuroria, prokuroria speciale. Mirëpo, çfarë ndodhi?

Ndërkohë që SPAK-u prodhonte akuza, arrestonte politikanë apo i vendoste nën akuzë dhe shkonin në një proces gjyqësor, presupozohet që SPAK-u në të njëjtën kohë, përveçse të çonte çështjet para drejtësisë, indirekt të nxiste dhe reformimin e qeverisjes. 

Pra, ndërkohë që SPAK-u, bie fjala, sjell një çështje në proces gjyqësor për një politikan, për një ministër, për një kryetar bashkie, presupozohej si në botën demokratike, që qeverisja të vetëkorrektohej, të distancohej minimalisht politikisht nga ministri, deputeti, kryetari i bashkisë politikisht, duke i dhënë mundësi që të ballafaqohej me drejtësinë, por në të njëjtën kohë të korrektonte edhe trajektoren e veprimit politik dhe financiar.

Për shembull, për rastet të famshme si incineratorët në Tiranë apo tenderat e famshëm që s’ekzistojnë apo në fushën e teknologjisë. Ne nuk mund të themi, një parti politike nuk mund të thotë që po presim se çfarë do të vendosë drejtësia. Unë e kuptoj dhe e respektoj plotësisht parimin e prezumimit të pafajësisë. Nuk jam për epokën jakobine. Nuk mendoj që prokurorët dhe gjyqtarët janë të shenjtë. Ata janë lehtësisht gjithashtu të gabueshëm, sepse janë qenie njerëzore, por ka shkallë të ndryshme sistemi i drejtësisë për të vendosur në rast se x-i apo y- është i fajshëm apo është i pafajshëm.

Ajo që dua unë si politikani, si qytetar aktiv në vend është që qeverisja të nxjerrë mësime. Pra, në rast se ka një politikë të re për, për këtë gjë, në rast se është e aftë të ndalojë gjakderdhjen financiare, siç ishte rasti i incineratorëve, siç janë tenderat e AKSHI-t, për shembull unë isha në Amerikë ditën e parë kur u shpall Diella dhe vetëm pas dy muajsh Diella përfundoi në burg.

Pra dhe ne duhet të jemi shumë seriozë me këto çështje. Ne nuk mund të presim zbardhjen e çështjes nga ana e drejtësisë që mund të shkojë 10-15 vjet dhe të themi që le të vazhdojë hemorragjia financiare. Dhe kjo është arsyeja që pas çdo skandali dhe pas çdo procesi gjyqësor, është e vërtetë që Partia Socialiste ka një meritë të padiskutueshme, sepse i krijoi mundësi drejtësisë për ta thënë fjalën e saj deri diku, por kjo nuk u shoqërua me reformim të qeverisjes, me më shumë llogaridhënie, me më shumë përgjegjësi politike dhe njerëzit filluan të kuptojnë që as ky mekanizëm, as SPAK-u dhe as drejtësia, nuk është më një valvul shkarkuese për të përmirësuar cilësinë e qeverisjes.

Dhe kjo është arsyeja që mendoj që protesta që po shohim në rrugët e Tiranës dhe kam lexuar edhe anketime dhe fokus grupe të ndryshme që janë zhvilluar nga organizata partnere gjatë kësaj periudhe, lajtmotivin kryesor apo mesazhi kryesor është nevoja për një fushë tjetër loje; për një fushë garantuese me rregulla më të barabarta; më përfaqësuese për një ndarje të shtetit me pushtetin, pra jo përdorim të administratës publike, të resurseve shtetërore; për një reformë të madhe mediatike... mund të them Veton që ditët e para asnjë media me përjashtim të “News 24” nuk transmetonte protestën dhe ma kujtoi periudhën e fundit të viteve tetëdhjetë apo vitit '96-'97, kur për të kuptuar se çfarë ndodhte në Shqipëri duhet të ndiqje ose BBC-në ose Zërin e Amerikës.

Nuk ka një shqyrtim të imtësishëm, të vërtetë, nga mediat kryesore në vend, nga televizionet kombëtare, pronarët e të cilëve gëzojnë statusin e investitorit strategjik në Shqipëri.

Pra, me pak fjalë, mbahen deri diku me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pa qenë e legjitimuar kjo gjë, sepse mund ta legjitimosh këtë gjë dhe ha dhe se ha debat.

Dhe kjo, kjo solli edhe një lloj bojkoti të protestuesve ndaj mediave kryesore, ndaj gazetarëve dhe moderatorëve të emisioneve kryesore në Shqipëri dhe një shpërthim në rrjetet sociale që ne të paktën nuk e kishim parë e shoqëruar me një energji dhe me një lloj nevoje për katarsis politik dhe shoqëror.

Surroi: Por nëse pushteti i Shqipërisë, nëse kryeministri i Shqipërisë e kalkulon, ai mund ta absorbojë këtë dhe mund të bashkëjetojë me këtë lloj proteste, meqenëse SPAK-u nuk ka arritur të bëjë korrigjim të sistemit, sepse nuk është edhe i dizajnuar për, për të bërë korrigjime. Domethënë, në momentin kur SPAK-u shndërrohet në element korrigjues të sistemit, atëherë sistemi ka telashe serioze.

Nëse kryeministri i vendit më vendos ta shikojë, për shembull, Beogradin dhe të shohë se mund ta absorbojë këtë protestë, mund të bashkëjetojë me këtë protestë dy vitet e ardhshme, siç bëri presidenti Vuçiq, i cili shkon në zgjedhje në tetor, pse mos ta bëj këtë?

Бусхати: Varet si e sheh. Ka një mënyrë shikimi sipas së cilës duket si një kartolinë e një vendi... ajo që ndodh në Tiranë duket si një kartolinë e një vendi...

Surroi: ...ekzotik... 

Бусхати: ...demokratik. Pra ka protesta dhe s'ka asgjë të keqe. Aq më tepër për një vend që ka vuajtur nga mungesa e aktivizmit politik dhe shoqëror. Mirëpo, protestuesit kanë disa kërkesa specifike, të cilat fillimisht ishin të lidhura vetëm me projektin dhe ato që ishin të lidhura vetëm me projektin që do të zhvillohej në Zvërnec, korrespondojnë 100% me kërkesat që ka Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE.

Pra, shfuqizimi i ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura, që i krijoi mundësinë Zvërnecit si projekt të dizenjohej dhe të zhvillohej; shfuqizimin e Ligjit për investitorët strategjikë, pra, me pak fjalë, në qoftë se ti merr statusin e investitorit strategjik, shteti duhet të përgjigjet për infrastrukturën ndihmuese të projektit që ti do të zhvillosh dhe korrespondon që investitorët strategjikë, përveçse janë pronarët e mediave kryesore që kanë frekuencën kombëtare në Shqipëri, të cilët ende s'e kanë kuptuar edhe sot e kësaj dite që frekuenca është gjithashtu një mirë publike, nuk është një pronë private dhe një pjesë të bizneseve të tjera apo oligarkëve të tjerë.

Këto janë kërkesa që korrespondojnë 100% me kërkesat që ka BE-ja ndaj Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE.

Ajo që unë nuk kam arritur ta kuptoj dot është se si ka mundësi që nuk ka asnjë përpjekje për reflektim për ta rishikuar projektin dhe të gjithë paketën ligjore që shoqëron jo thjesht këtë projekt, po këtë modelin që unë e quaj modelin grabitqar të kapitalizmit.

Në 2013 unë kam qenë pjesë e qeverisë dhe një protestë disa ditoreshumë më e vogël në numër, pa pjesëmarrje të diasporës, pa këtë lloj solidarizimi dhe vëmendje ndërkombëtare për armët kimike, rezultoi në tërheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit. Dhe unë mendoj që tërheqja nuk është akt dobësie, përkundrazi është një mundësi për të hapur një shteg të politikës tjetër të zhvillimit politik dhe ekonomik të shoqërisë shqiptare.

Dhe nuk mendoj që protesta mund të bashkëjetojë kaq gjatë në këtë lloj situate relativisht status quoje, do të thoja, ku nga njëra anë ne kemi frustrimin e shprehur në rrugë, por edhe në rrjete tjera; një mobilizim që nuk e kam parë asnjëherë të diasporës shqiptare... që është e ndryshme nga diaspora e Kosovës, për shkaqe historike dhe nga ana tjetër ne kemi kryeministrin, i cili ka dalë me disa, le të themi, propozime, të cilat mua nuk më dukën se janë propozime që vlejnë për jetën politike të vendit.

Më ngjasojnë deri diku me ato kompanitë që të marrin telefon dhe që të ofrojnë, që quhen “shërbimi ndaj klientit”, që të ofrojnë një shërbim të caktuar që kanë bërë një ulje për një produkt të caktuar dhe duan të të mbushin mendjen që të jesh pranë tyre.

Ne kemi nevojë për proces politik. Procesi politik nuk ekziston dhe nuk mendoj se kjo do të zgjasë pafundësisht. 

Elementi i dytë dallues, mendoj unë, në raport me Serbinë e Vuçiqit është linjëzimi gjeopolitik, pavarësisht shigjetimeve dhe shpotitjeve që kjo është një protestë e nxitur nga Greqia, Irani, Turqia, Sorosi, Serbia, algoritmi, proletarët e algoritmit, etj., kushdo që të hyjë në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht se me çfarë pikëpamjesh hyn, në momentin që ulet, nuk ka asnjë alternativë përkundrejt përkatësisë tonë të qartë euroatlantike. Dhe kjo është një gjë që është përcaktuar njëherë e përgjithmonë me 8 dhjetor të 1990-s, kur studentët dolën dhe kur tre-katër ditë më pas u vendos pluralizmi politik në Shqipëri, çka është e ndryshme nga loja në Serbi për sa i përket orientimit gjeopolitik, për balancat mes pushteteve, etj.

Së treti, që është e lidhur gjithashtu me të dytën, nuk mendoj që në Shqipëri mund të jetë një recetë e suksesshme, pavarësisht faktit që procesi i integrimit evropian ka ato luhatjet e veta, që të qëndrosh në kundërshtim me disa norma, disa parime, disa vlera të cilat imponohen nga ky proces dhe prandaj nuk e shoh bashkëjetesën për një kohë të gjatë të mundshme.

Surroi: Pra, përcaktimi për të cilin fola në fillim të tekstit tënd, momenti përcaktues është a jemi të gatshëm t'i kthehemi prapë rrugëtimit evropian?

Бусхати: Absolutisht në mënyrë të vërtetë, sepse çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre viteve, duke përfshirë edhe vitet e mia në shërbim si ministër i Punëve të Jashtme, përgjithësisht kërkesat kanë qenë nga lart poshtë, pra kërkesa për të luftuar korrupsionin, kërkesa për çkapjen e shtetit, kërkesat për të vendosur një vijë të kuqe ndaj kapjes oligarkike, lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit në nivelet e larta dhe demonstrimi i provave të qarta, solide, respektin ndaj mjedisit dhe përmbushja e standardeve që konsiderohen standarde evropiane, të gjitha janë konsideruar si detyra shtëpie, pra si gjëra që po imponohen disi nga lart, nga Brukseli, nga vendet anëtare. 

Për herë të parë çfarë shohim? Pra unë jam, jam goxha i motivuar. Pra shoh dy gjëra.

E para, për aq sa kam pasur mundësi të udhëtoj dy muajt e pikut të protestës nëpër vende të ndryshme, për herë të parë ka një krenari dhe për shqiptarët flitet deri diku me një lloj zilie. Pra që ju po i dëshmoni botës që është e mundshme të protestosh për disa standarde bazike që janë normale, që edhe evropianë tjerë nëpër cepa të ndryshme apo nëpër kryeqytete të ndryshme e bëjnë këtë gjë.

Dhe së, dhe së dyti, pra nuk është ajo stigma e shqiptarit i lidhur me krimin, i lidhur me...

Surroi: ...me dhunën...

Бусхати: ...me dhunën, etj., i pagdhendur.. përkundrazi. Aq më tepër një shoqëri që është thellësisht proamerikane, një shoqëri që është thellësisht proevropiane, pra nuk është një shoqëri antikapitaliste, nuk është një shoqëri që jeton konspiracion.

Dhe elementi tjetër që është gjithashtu i rëndësishëm është që ne kemi popullin. Numrat që unë kam lexuar nëpër studime të ndryshme, nëpër projektime të ndryshme janë shumëfish më inkurajuese që po kërkon pikërisht që detyrat e shtëpisë tani mos të bëhen më nga lart poshtë, por edhe nga poshtë lart.

Surroi: Nuk janë acquis communautaire, por janë acquis shqiptarë.

Бусхати: Nga poshtë lart.

Surroi: Ditmir Bushati, faleminderit! Ishte kënaqësi.

Бусхати: Faleminderit dhe për mua ishte kënaqësi.