Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë bërë thirrje edhe zyrtarisht kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që seanca të vazhdojë më 20 gusht (të enjten).
Në letrën e PDK-së është thënë se ky është obligim kushtetues dhe procedural i Deharit si kryesues.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, thuhet në letrën e dorëzuar nga deputetët e PDK-së.
Kjo kërkesë e PDK-së është duke u përsëritur në vazhdimësi. Deputetët e këtij subjekti po protestojnë mëngjeseve para Qeverisë e çdo dy ditë po shkojnë në sallën e Kuvendit me kërkesën për vazhdim të seancës konstituive.
Në dy raste deputetët janë ftuar për të marrë pjesë në këtë seancë. Në të dyja, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti kërkoi më shumë kohë për negociata për marrëveshje politike me arsyetimin se po që se nuk arrihet dakordim për postin e presidentit, pashmangshëm shkohet në zgjedhje edhe po që se konstituohet Kuvendi e formohet Qeveria.
такође
ПДК и Алијанса одбијају састанак који је позвао Хаџију
Megjithatë, afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituim pas certifikimit të rezultateve tashmë ka kaluar. Që nga vazhdimi i fundit, ai i së shtunës së 8 gushtit, Dehari nuk ka ftuar vazhdimin e seancës konstituive. Ai ka mbështetur qëndrimin e Kurtit duke thënë se pa marrëveshje seancat “janë shterpe”.
Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar çdo takim me Kurtin. Ai ka mbajtur takime me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një ditë më parë, Kurti u takua edhe me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për çështjen e presidentit.