КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

ПДК и Алијанса пре Владе захтевају конституисање парламента и деблокирање институција

ВЛАДА

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë mbajtur sërish aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.

Aksionit të sotëm u janë bashkuar edhe asamblistë, drejtorë komunalë dhe aktivistë nga Vitia, Gjilani dhe Kamenica.

Në emër të pjesëmarrësve ka folur Valmir Sahiti, drejtor i Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Viti, i cili tha se janë mbledhur për të shprehur shqetësimin për, siç e cilësoi ai, bllokadën institucionale.

“Prandaj jemi sot për të thirrur mazhorancën, për të thirrur partinë fituese të zgjedhjeve që të kthehet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që të kthehet drejt institucioneve si forma e vetme demokratike, sepse mbi të gjitha Albin Kurti dhe vartësit e tij duhet ta kuptojnë që Republika e Kosovës është mbi secilin individ e mbi secilin lider politik. Ky vend e kjo republikë, e cila është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve e një sakrificë shekullore, meriton një përgjegjësi më të madhe nga secili prej nesh. Kosova është ndër vendet e pakta në krejt botën ku opozita është tek institucionet, ku opozita thërret për konstituim të institucioneve, e ndërkohë pushteti e partia fituese është bllokuese e krejt proceseve. Prandaj sot, me një zë të fortë e përbashkues edhe të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, edhe të Aleancës, por mbi të gjitha zëri i krejt qytetarëve të Republikës së Kosovës, kërkojmë që përfundimisht kjo bllokadë e kjo odise eksperimentesh politike që po vazhdon t’i bëjë Albin Kurti të ndalen, e qytetarëve të Kosovës t’u kthehen institucionet e mbi të gjitha t’u shërbehet atyre“, tha Sahiti.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, i cili tha se situata institucionale nuk mund të vazhdojë kështu.

“Prandaj ne edhe sot jemi këtu për t’i bërë thirrje, për t’i kërkuar që të kthehet në institucione, të kthehemi në kushtetutshmëri, sepse më tutje ne nuk mund të vazhdojmë kështu si shoqëri. Ne nuk do ta tolerojmë si shoqëri, e cila kemi kaluar nëpër procese të rënda, që Albin Kurti të luajë me institucionet e vendit edhe në vazhdim. As veprimi i djeshëm, asgjë nuk ka bërë që të ndryshojë qëndrimi ynë, sepse ne edhe sot jemi jashtë kushtetutshmërisë. Ai mund të vazhdojë edhe më tutje të bëjë lojëra të tilla, të shtyjë kohë, të gjejë arsyetime koti edhe qesharake, e ndoshta edhe ndonjë natë të na thotë se tash duhet me bindë edhe Avdullah Hotin se s’mundemi me thirr seancën. Prandaj edhe një herë i bëjmë thirrje, sa nuk është vonë, që të kthehemi në kushtetutshmëri“, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha se është e lodhshme që çdo mëngjes të qëndrojnë para objektit të Qeverisë, por theksoi se qëllimi i tyre është kërkesa për funksionalizimin e institucioneve.

“Faleminderit që po na përcillni sepse po e kuptoni edhe vetë që është e bezdisshme edhe për neve që çdo mëngjes të jemi këtu para zyrave të qeverisë, para hyrjes së qeverisë, për të kërkuar nga partia në pushtet, për të kërkuar nga deputeti Albin Kurti që t’i kthehet institucionit, t’i kthehet Kushtetutës, ta respektojë kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ata dje kanë arritur një marrëveshje që s’e kanë bërë të gjerë për opinionin, përpos një deklarate të shkurtër, dikush prej liderëve duke qajtur e dikush duke buzëqeshur, sot është dashur të thirret seanca, të konstituohet Kuvendi, të zgjidhen organet e Kuvendit, të zgjidhet qeveria apo të zgjidhet edhe presidenti i Kosovës. Ne po shohim që këtu nuk kemi transparencë, nuk ka llogaridhënie, mirëpo populli nuk harron. Albin Kurti, kthehu institucioneve, kthehu Kuvendit të Kosovës, konstituo Kuvendin, ose në rastet e tjera shpall zgjedhjet, në të cilat edhe ne pajtohemi“, tha ajo.