КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

ПДК и Алијанса захтевају дипломатско ангажовање за бивше лидере ОВК

Елми Речица

Фотографија: КП

Anëtarët e Komisionit për punë të jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë kërkuar angazhim më të madh të diplomacisë parlamentare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në mbledhjen e mbajtur të martën ata e konsideruan të nevojshme që në planin e punës së komisionit të përfshihet angazhimi diplomatik për katërshen e UÇK-së, që u dënuan në shkallë të parë nga Gjykata Speciale, me 81 vjet burgim.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se çështja e ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë ndër prioritetet e komisionit. Ai kërkoi që, përmes grupeve të miqësisë dhe diplomacisë parlamentare, të angazhohen mekanizmat shtetërorë për mbështetjen e tyre në aspektin diplomatik, ligjor dhe lobues.

“Çështja kyçe duhet të jetë ligji i votuar sa i përket Gjykatës Speciale, ku do të ketë një debat dhe përplasje dhe situata ku ne duhet të argumentojmë. Mendoj se çdo ligj që votohet në Parlamentin e Kosovës duhet të trajtohet njëjtë. Edhe ata që janë votuar më herët dhe këta që janë miratuar së fundmi. Sa i përket angazhimit dhe mbrojtjes së këtij ligji, diplomacisë parlamentare që mund të funksionojë përmes grupeve të miqësisë, duhet të kemi një vëmendje të veçantë sa i përket të akuzuarve dhe dënuarve në shkallë të parë në Hagë. Mekanizmi shtetëror është i angazhuar dhe ka pretendime të fuqishme se do të jenë karshi dhe konform ligjeve dhe mundësive që i ka ky shtet në mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese të atyre që ne konsiderojmë që janë padrejtësisht të dënuar. Kjo duhet të jetë edhe në kuadër të planit të punës”, deklaroi ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi që Komisioni të përcaktojë edhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, duke theksuar se kjo është një nga përgjegjësitë e komisioneve parlamentare.

“Është mirë me përcaktua edhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. E kemi obligim si komisione parlamentare mbikëqyrjen e një ligji për një sesion. Brenda një viti kalendarik është obligim me u mbikëqyrë zbatimi i dy ligjeve. Po besoj kemi kohë që deri në dhjetor, pasi është fillimi i tetorit, dhe të shohim me u përcaktua edhe mbikëqyrjen e një ligji”, theksoi ajo.

Në diskutim u përmend edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe roli i Kuvendit në zhvillimet që lidhen me dialogun me Serbinë dhe Dhomat e Specializuara në Hagë.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, vlerësoi rolin e komisionit parlamentar në koordinimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai tha se edhe në fazën aktuale të zhvillimeve nevojitet një mekanizëm mbikëqyrës dhe komunikim i strukturuar ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse për dialogun.

“U përmend si angazhim i suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, deri në këtë fazë që ka mbërritur ka pasur rol të madh komisioni parlamentar në koordinim me Ministrinë e Jashtme, po ashtu është edhe çështja e dialogut. Në këtë fazë të zhvillimeve që lidhet edhe me Dhomat e Specializuara dhe veprimet e Kuvendit duhet me pas një rol mbikëqyrës dhe mekanizëm që duhet të ndërtohet në komunikim për me subordinu këtë dialog me Kuvendin”, tha ai.

E kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se plani i punës mund të rishqyrtohet në vazhdim, me qëllim të përcaktimit të prioriteteve të përbashkëta dhe koordinimit të angazhimeve të deputetëve në organizatat ndërkombëtare.

“Është mirë me pas një strategji të përbashkët për çështje që ne i shtyjmë përpara dhe për të cilat kërkojnë mbështetje prej deputetëve kudo që ata kanë përfaqësim në organizata ndërkombëtare. Komisioni për Punë të Jashtme është përtej çështjeve dhe bindjeve individuale, pasi është çështje e shtyrjes përpara të interesit tonë kombëtar. Të gjithëve na konvenon që të punojmë me një plan pune që shtyn përpara interesin tonë të përbashkët”, tha Kryeziu-Hyseni.

Krahas kësaj, komisioni miratoi edhe projektligjin për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore. Kjo ishte mbledhja e parë e komisionit pas konstituimit më 13 shtator./KP