Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka kritikuar qëndrimin e Komisionit Evropian (KE), lidhur me ceremoninë e varrimit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, që u zhvillua të hënën në Serbi.
Ai ka thënë se të gjithë, përveç Komisionit Evropian, e kanë parë që Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, është varrosur me nderime shtetërore dhe ushtarake.
“Të gjithë e pamë se ishte një funeral shtetëror dhe për fat të keq Komisioni Evropian nuk e pa atë që e pa e gjithë bota”, ka theksuar Palokaj në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka folur edhe për deklaratën që është dhënë të hënën nga zëdhënësja e Komisionin Evropian, Паула Пинхо.
“Kishin dhënë një deklaratë të zëdhënëses dhe për çudi deklarata quhej ‘Deklaratë për vdekjen e Ratko Mlladiqit’ edhe pse ai nuk kishte vdekur sot, por para 10 apo 12 ditësh, ndoshta me këtë ritëm për funeralin do të japin një deklaratë pas 12 ditësh. Ne në konferencë për shtyp kërkuam se cilat do të jenë pasojat për Serbinë pasi kishe funeral me nderime shtetërore dhe zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, tha se BE-ja përsërit se në Evropë dhe në vendet kandidate nuk ka vend për glorifikim të kriminelëve të luftës, për glorifikim të atyre që e mohojnë gjenocidin apo kanë kryer gjenocid dhe tha se ishte paralajmëruar se do të ketë funeral shtetëror dhe se ky funeral nuk ishte shtetëror”, është shprehur Palokaj.
Ai ka thënë se kjo ka nxitur një debat me gazetarët, pasi siç ka theksuar nuk mund të quhet një funeral joshtetëror, kur aty është ushtria, e ushtria është e shtetit dhe komandant i saj është presidenti. Palokaj ka thënë se në funeral ishin edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë e kreu i Kishës Ortodokse Serbe, që sipas tij është shumë i afërt me pushtetin.
“Përshtypja është se kanë qenë në komunikim të përhershëm këto ditë me Qeverinë e Serbisë, për të siguruar se kinse nuk do të ketë një funeral shtetëror, nga Serbia si duket u është thënë se ky funeral nuk është shtetëror pasi aty nuk është presidenti dhe Komisioni Evropian ka besuar se ashtu siç thotë Serbia ashtu edhe është”, ka deklaruar Palokaj.
Kjo sipas tij, është parë edhe në deklaratën e zëdhënëses e cila ka thënë se i takon Serbisë që të vendos se çfare është funerali.
Sipas tij ose BE-ja mund të ketë rënë në grackën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ose mund të ketë pasur një dakordim në mes tij dhe udhëheqësve të BE-së për këto deklarime.
“Me pak fjalë duket se kanë rënë në grackën e Vuçiqit dhe të Qeverisë së Serbisë, e cila ndoshta Brukselit i ka thënë se nuk është funeral shtetëror, të vetëdijshëm nga Beogradi se çfarë pasojash mund të kenë, apo në anën tjetër edhe se e kanë luajtur lojën së bashku më Vuçiqin që duke pasur parasysh raportet tepër të mira që Vuçiq ka me presidenten e Komisionin Evropian Ursula von der Leyen dhe me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, ka mundësi edhe të kenë dakorduar një koordinim të tillë për të thënë atë që u tha sot nga Komisioni Evropian”, është shprehur Palokaj.