КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Палокај: Изјаве фон дер Лајен о Специјалном извештају биле су пажљиво припремљене

Аугустин Палокај

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se deklarimet e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten në Kosovë kanë qenë të përgatitura mirë dhe me kujdes në strukturat e institucionit që ajo drejton sa i përket çështjes së verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në një deklarim për emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Palokaj ka thënë se edhe në takimin e sotëm u tha ajo çka ka thënë deri më tash BE-ja, se gjykata është e pavarur dhe si e tillë duhet të mbetet çfarëdo që do të veprohet në Kosovë rreth saj.

“Deklarimet e saj janë të përgatitura mirë dhe me kujdes në strukturat e Komisionit Evropian dhe janë në linjë me atë se çka ka thënë deri tash Bashkimi Evropian se gjykata është e pavarur dhe si e tillë duhet të mbetet dhe çfarëdo që do të veprohet në Kosovë rreth Gjykatës, duhet të ketë parasysh ruajtjen e pavarësisë së këtij institucioni”, ka thënë ai.

Palokaj ka shtuar se të martën pritet të dalë një propozim i Komisionit Evropian për vendimmarrje me shumicë të kualifikuar në disa hapa në procesin e zgjerimit. 

Ai ka vlerësuar se në rast se miratohet ky propozim nga Këshilli Evropian, Kosova do të mund të përfitonte nga ai. 

“Një propozim i Komisionit Evropian do të dalë të martën, e aty Komisioni Evropian do të propozojë edhe vendimmarrjen me shumicë të kualifikuar në disa hapa në procesin e zgjerimit. Në atë rast Kosova do të mund të përfitonte sepse nuk do të mund ta bllokonin disa shtete në rast se do të miratohej vendimi me shumicë të kualifikuar, por edhe ai propozim për të kaluar do të duhej një vendim i Këshillit, kështu që është shumë vështirë të parashikohet tash secili do të jetë veprimi i vendeve anëtare sa i përket aplikacionit të Kosovës”, ka theksuar Palokaj.

Palokaj më tej ka thënë se KE-ja i ka duart e lidhura sa i përket veprimit rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, sepse siç tha edhe ajo, shtetet anëtare, Këshilli duhet t’i japë mandat Komisionit për të nisur punën për të dhënë mendimin për status-kandidatin.