КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Од Албаније до Француске – Социјално незадовољство распламсава улице Европе

Албанија

Фото: Ассоциатед Пресс

Rritja e kostos së jetesës, kriza e strehimit, pakënaqësia me arsimin dhe përkeqësimi i shërbimeve publike kanë nxitur një valë protestash në Evropë, nga Franca dhe Italia deri në Shqipëri e Serbi. Të rinjtë po dalin në rrugë për të kërkuar ndryshime, ndërsa pakënaqësia sociale në disa vende është shoqëruar me përplasje me policinë, arrestime dhe akte dhune. Në prag të zgjedhjeve të rëndësishme dhe mes pasigurive politike, protestat po vënë në pah pakënaqësinë në rritje ndaj kushteve të jetesës dhe mënyrës se si qeveritë po u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve

Rritja e çmimit të karburanteve, pakënaqësia me gjendjen e shkollave, përkeqësimi i shërbimeve publike dhe kriza e strehimit, kanë krijuar kushtet ideale për një vjeshtë protestash në Evropë.

Prej javësh, turma njerëzish kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha, duke shkaktuar arrestime, plaçkitje, lëndime dhe dhunë në Francë, Itali dhe Shqipëri. Në Spanjë dhe Portugali, janë ngritur kampe me tenda në kuadër të protestave kundër qirave dhe kostove të papërballueshme të banimit.

Të rinjtë evropianë po përjetojnë “një ndjenjë të fortë pasigurie dhe mungesë kontrolli”, tha Maria Silvestre, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Deustos në Spanjë.

“Dhe kur bashkohen rrethana të caktuara, papritur ndizet një shkëndijë që mund të kanalizojë këtë pakënaqësi dhe t’i nxjerrë njerëzit në rrugë”.

Qytetet janë shndërruar në fusha beteje, ndërsa ekonomitë kryesore të BE-së, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën, po u afrohen zgjedhjeve vendimtare.

Ndërkohë, partitë e ekstremit të djathtë kanë shënuar fitore elektorale në Gjermani dhe mund të arrijnë të njëjtën gjë edhe në vende të tjera. Kjo ndodh në një moment kritik për mbështetjen e Evropës ndaj Ukrainës, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump po afrohet me presidentin rus, Vladimir Putin, edhe pse Rusia akuzohet për sulme hibride gjithnjë e më të shpeshta ndaj vendeve të NATO-s.

Politikanët e djathtë kanë përfituar nga kaosi. Ndonëse protestat në Francë duket se po mbështeten nga shtresa të gjera të shoqërisë, Trumpi i ka fajësuar emigrantët për shkatërrimet. Të hënën, ai ka shkruar në platformën e tij Truth Social se emigrantët e kanë marrë nën kontroll Francën.

“Duhet t’i mbyllni kufijtë, shpejt”, ka shkruar Trumpi.  

Shumë prej protestave janë nxitur nga të rinj të zhgënjyer. Grupe të tjera, përfshirë persona të maskuar dhe të veshur me të zeza, kanë nxitur dhunën, por autoritetet dhe policia franceze nuk i kanë fajësuar emigrantët.

Por cilët janë realisht faktorët që po nxisin trazirat?

Studentët thonë se burimet për arsimin po pakësohen

Në Francë, ku protestat popullore kanë një traditë shekullore, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar bllokada dhe demonstrata prej më shumë se tri javësh, duke kërkuar më shumë burime për shkollat, të cilat i përshkruajnë si të amortizuara dhe me mungesë të stafit, veçanërisht në lagjet me të ardhura të ulëta.

Protestat u zgjeruan më pas, kur sindikata franceze e punëtorëve CGT dhe aktivistë të tjerë iu bashkuan lëvizjes, ndërsa nxënësit ndërprenë përkohësisht protestat për shkak të pushimeve të vjeshtës. Tashmë, lëvizja përfshin edhe kërkesat për masa kundër rritjes së kostos së jetesës dhe për përmirësimin e shërbimeve publike.

Pavarësisht marshimeve paqësore të qindra mijëra njerëzve, trazirat gjatë fundjavës çuan në 2.400 arrestime dhe incidente të rënda në disa pjesë të Francës, përfshirë plaçkitje në Paris, Marsejë, Lion dhe Bordo. Në Limoges, flakët përfshinë ndërtesën e bashkisë së shekullit XIX, duke e shkatërruar pothuajse tërësisht. Edhe disa shkolla u dogjën. Qindra persona u lënduan, pasi nxënësit dhe pjesëmarrësit në trazira hodhën bomba artizanale me lëndë djegëse, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi dhunën e së shtunës, duke akuzuar aktivistët e ekstremit të majtë se po përpiqen të nxisin kaos përmes sulmeve ndaj ndërtesave dhe policisë.

“Ata që kanë plaçkitur do të duhet të paguajnë për dëmet, ndërsa ata që u përpoqën të rrëzonin Republikën do të mbahen përgjegjës”, tha Macroni të dielën, në një fjalim të rrallë televiziv.

Në Spanjë, mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme nisën javën e kaluar një grevë pa afat në Madrid, duke kërkuar paga më të mira dhe kushte më të mira pune. Mësues të pakënaqur kanë organizuar greva të ngjashme edhe në pjesë të tjera të Spanjës gjatë këtij viti.

Strehimi i papërballueshëm ua vështirëson jetën të rinjve

Në sheshin qendror Puerta del Sol të Madridit, tendat e mbuluara me material të papërshkueshëm nga uji, kanë zënë hapësirën prej javësh në shenjë proteste kundër rritjes së kostove të banimit. Protestat u nxitën nga dëbimi i Maricarmen Abascal, një grua 87-vjeçare, e cila më vonë vdiq në spital. Kampe më të vogla protestuesish u ngritën më pas edhe në qytete të tjera spanjolle.

Presioni publik e shtyu qeverinë socialiste në pushtet të miratonte masa për strehimin e përballueshëm, por ato nuk siguruan mbështetjen e parlamentit. Kjo çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga kryeministri, Pedro Sanchez, për muajin nëntor. Për nëntor është thirrur gjithashtu një grevë e përgjithshme, e para e këtij lloji në 14 vjet.

Protesta të ngjashme për strehimin kanë shpërthyer edhe në qytetet më të mëdha të Portugalisë, Lisbonë dhe Porto, si dhe në Barcelonë, një nga qendrat kryesore të problemeve të Spanjës me turizmin masiv dhe krizën e banesave.

Paga minimale në Spanjë është 1.221 euro, ndërsa qiraja mesatare mujore për një apartament prej 80 metrash katrorë është rreth 1.130 euro, sipas një analize të gazetës ekonomike “Expansion”.

“Pjesa më e madhe e pagës sime shkon për qiranë. Edhe shoqja me të cilën ndaj apartamentin mezi ia del të përballojë shpenzimet, njësoj si unë”, tha Diana Manzanares, një kameriere 20-vjeçare që qëndron në kampin e protestuesve në Madrid.

“Ky është realiteti im dhe realiteti i shumicës prej nesh që jetojmë në këtë qytet”, shtoi ajo.

Kostot e papërballueshme të jetesës, ndërsa inflacioni rritet në Itali

Lëvizja “Italia in Piazza”, ose “Italia në rrugë”, ka mobilizuar mijëra protestues, të cilët kërkojnë punësim më të mirë, përmirësim të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, qasje më të lehtë në banesa, si dhe paga më të larta. Inflacioni në Itali u rrit në 4,2 për qind në shtator, duke tejkaluar nivelin prej 3,8 për qind në eurozonë, sipas të dhënave qeveritare.

Marshimet paqësore u pasuan nga trazira të dhunshme në Torino dhe Bolonjë, si dhe në Milano, qendrën financiare dhe të modës në Itali. Atje, protestues të maskuar u përleshën me policinë, plaçkitën dyqane dhe ua vunë flakën pronave. Policia e Milanos tha se 271 persona u arrestuan, shumica prej tyre të mitur, ndërsa 14 policë u lënduan gjatë dy ditëve të trazirave.

Ndërkohë, një grup i sapoformuar, që e quan veten “Lëvizja e 17 Tetorit”, ka shpallur atë që e cilëson si “mobilizim të përhershëm”, me protesta çdo të shtunë në orën 15:00 në qytete të ndryshme të Italisë.

Studentët në Shqipëri u bashkohen protestave kundër korrupsionit

Protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej më shumë se një jave në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Përplasjet janë përshkallëzuar pasi nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët iu bashkuan lëvizjes së gjerë opozitare “Flamingo”, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit socialist, Edi Rama.

Rama i ka cilësuar protestuesit si “të ideologjizuar dhe të radikalizuar” nga “antifa”, një term i përgjithshëm që përdoret për grupe militantësh të organizuar të ekstremit të majtë në Shtetet e Bashkuara, ku presidenti amerikan, Donald Trump e ka shpallur këtë lëvizje organizatë terroriste.

Lufta kundër korrupsionit është një nga kërkesat kryesore të lëvizjes, e cila e mori emrin nga habitati natyror i flamingove në një zonë ku qeveria e Ramës ka rënë dakord të lejojë një projekt të madh turistik luksoz, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e Trumpit. Sipas faqes së saj zyrtare, protestuesit kërkojnë gjithashtu mbrojtjen e shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe pensioneve publike.

Në Serbi, studentët universitarë që prej gati dy vjetësh udhëheqin protesta masive kundër korrupsionit po sfidojnë përpjekjen e ish-liderit populist të vendit ballkanik, Aleksandar Vuçiq, për t’u rikthyer në pushtet përmes zgjedhjeve parlamentare.

Ish-presidenti autoritar synon të emërohet kryeministër pas votimit të 25 tetorit.

Partia “Lista e Studentëve”, e mbështetur nga të rinjtë, besohet se do të jetë në garë të ngushtë me partinë e Vuçiqit, duke e bërë rezultatin të pasigurt dhe duke shtuar frikën për shpërthimin e mundshëm të dhunës.