Autore: Egzona Mema
Bashkimi Evropian ka konsideruar se deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se do të shqyrtojë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër duhet të shmangën. Tutje ka shprehur shqetësime edhe për rrënimin e vilave në Ujman, për të cilat, institucionet vendore kanë deklaruar se janë të ndërtuara jashtëligjshëm.
Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Deklaratat, përfshirë ato lidhur me ndryshimet e mundshme të rrjedhës së lumit, si dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë objektiv të normalizimit, duhet të shmangen. Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në Dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të mund të përparojë në rrugën e saj evropiane”, thuhet në përgjigje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të formohet grupi i ekspertëve që do ta shqyrtojë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër. Vuçiq ka thënë se “ekziston dokumentacion paraprak i projektit që lidhet me një kërkesë të mëhershme për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit".
Tutje ky zëdhënës ka shprehur shqetësim edhe për rrënimin e vilave në Liqenin e Ujmanit, anipse sipas institucioneve vendore ato ishin të ndërtuara ilegalisht.
“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me prishjet e fundit. Çdo masë zbatuese e pakthyeshme duhet të respektojë procedurën e rregullt ligjore. Personave të prekur duhet t’u jepet një mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore përpara se masa të zbatohet” thuhet në përgjigjen e këtij zëdhënësi.
такође
Како је Косово ушло у авантуру „размене“ територија?
Më 21 korrik autoritetet patën nisur aksionin për rrënimin e 11 vilave të ngritura ilegalisht, në zonën e Liqenit të Ujmanit, që ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Veprimi është marrë me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.
Në veri, ku është zhvilluar aksioni, veprojnë struktura ilegale të Serbisë. Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.