Minj të mëdhenj shihen përreth kontejnerëve të mbushur me mbeturina në kryeqytet. Mungesa e deratizimit, sipas ambientalistëve, rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve dhe e bën të domosdoshme ndërhyrjen e institucioneve. Komuna e Prishtinës e ka rihapur tenderin e ri për deratizim, pasi procedura e parë është anuluar
Егзона Мема
Lagje të kryeqytetit vazhdojnë të përballen me mbeturina e edhe minj rreth tyre. Ambientalisti Besnik Shabiu thotë se situata është shqetësuese, meqë nëpërmjet tyre mund të përhapen sëmundje.
“Rreziku për qytetarët nga këta brejtës lidhet me mundësinë e bartjes së sëmundjeve qoftë përmes urinës, fecesit, pështymës apo parazitëve të ndryshëm. Në raste të tjera mund ta kontaminojnë edhe ujin dhe ushqimin si dhe dëmtojnë infrastrukturën, si rasti i dëmtimit të kabllove elektrike etj.”, ka thënë Shabiu.
Ai ka shtruar nevojën për deratizim.
“Prej llojeve më të shfaqura në të tilla zona është miu i kanalizimeve. Për shkak të këtyre shqetësimeve është obligative mirëmbajtja e pastërtisë, sanimi i dëmeve në sistemin e kanalizimeve si dhe deratizimi profesional”.
Komuna e Prishtinës ka hapur më 24 korrik tenderin për deratizimin e rrjetit të kanalizimit, garazheve, bodrumeve dhe hapësirave publike, por procedura më pas u anulua. Më 31 korrik, Komuna e rihapi tenderin me vlerë të parashikuar prej 180 mijë eurosh. Afati për dorëzimin e ofertave është 24 gusht.
Në Komunë nuk dhanë informacione lidhur me deratizimin dhe gjendjen aktuale me brejtës.
Становници Саншајн Коуста у проблемима са пацовима
Opozitarët në Prishtinë thanë se çështjen do ta ngrenë në Kuvendin Komunal.
“Patjetër që do ta ngremë si çështje, sepse është shumë e nevojshme edhe pastrimi ku ka mbeturina, sepse në ato pjesë pastaj po dalin edhe minjtë e që paraqet rrezik për shëndetin e banorëve, sidomos tash nxënësve kur nisin vitin shkollor në shtator”, ka thënë Besart Krasniqi, asambleist i Vetëvendosjes. KOHA pati raportuar për prezencën e minjve nëpër kontejnerë edhe në qershor të këtij viti. Ata janë parë në shumë lagje afër kontejnerëve të stërmbushur.