КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Устав покреће институције

Парламент Косова

Фото: Дритон Пацхарада

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë ka hapur rrugën për funksionalizimin e mëtejshëm të institucioneve, por partitë janë përballë një afati të ngushtë për zgjedhjen e presidentit. Deri më 6 tetor duhet të gjendet një emër që siguron votat e nevojshme, ose vendi shkon në zgjedhje në mes të nëntorit. E pas aktgjykimit në Hagë, shihet e mundshme që partitë t’i ndërrojnë qëndrimet

Një ditë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, institucionet kanë nisur hapat e parë për funksionalizimin e plotë të legjislaturës.

Kuvendi ka thirrur për të premten mbledhjen e Kryesisë, ku pritet të përcaktohet edhe seanca e parë plenare e kësaj legjislature, pas asaj për votimin e kabinetit qeveritar.

“Të premten, më 25 shtator, mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në rend dite do të jetë propozimi për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kryesisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Në vendimin për dy kërkesat e Partisë Demokratike, Gjykata Kushtetuese e njohu konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, ndërsa ka kërkuar që deputetët ta përfundojnë sa më shpejt edhe zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit që i takon PDK-së.

Gjithashtu, Gjykata ka njoftuar se afati për zgjedhjen e presidentit skadon më 6 tetor, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje në mes të nëntorit.

Para vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin me 81 vjet heqje lirie për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për një emër që do të siguronte votat e nevojshme.

Vetëvendosja pati kërkuar një kandidat konsensual dhe jashtë politikës. Në bazë të këtij qëndrimi, ishte arritur pajtim me Lidhjen Demokratike për kandidaturën e profesorit universitar, Bekim Sejdiu. Ai më pas u tërhoq, pasi nuk siguroi përkrahjen e të gjithë deputetëve të LDK-së.

E PDK-ja pati refuzuar takimet dhe bashkëpunimin me Vetëvendosjen. Por, pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, kryetari i saj, Bedri Hamza, tha se ndryshimi i rrethanave mund të sjellë edhe ndryshim të qëndrimeve.

Aleanca pati vendosur gjashtë kushte për votën e saj për presidentin, kryesisht në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe lirimit nga taksat.

Në këtë situatë, aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së mund të krijojë hapësirë të re politike, vlerëson analisti Basri Muja.

Ai thotë se përveç koordinimit të mundshëm të partive për veprime në mbështetje të të dënuarve, zhvillimet në Hagë mund t’u shërbejnë subjekteve politike edhe për të arsyetuar ndryshimin e qëndrimeve të deritashme.

“Ky aktgjykim ka ndryshuar shumëçka dhe mendoj që edhe partitë të cilat kanë pasur qëndrime më ekstreme, mendoj që do të mund ta përdornin këtë aktgjykim si alibi, mos ta them si alibi, do ta përdornin si arsyetim për të lëvizur, sepse e thashë që vendi vërtet është në një pozitë, është në një situatë ku shumëçka mund të devijojë dhe rezultatet mund me qenë katastrofale”, ka thënë Muja.

Qëndrime të njëjta kanë shprehur edhe në LVV.

Deputeti Adnan Rrustemi ka shprehur pritjen që Partia Demokratike dhe Aleanca do të ndryshojnë qëndrimin për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas Rrustemit, situata e krijuar pas verdiktit të Speciales, duhet të ndikojë edhe në ndryshime për çështjen e formimit të institucioneve.

“Këto 12 ditë janë 12 ditë për presidentin. Vërtetë është shkurtuar mjaft shumë afati, por secila parti politike duhet ta ketë parasysh se kjo është gjëja më e rëndësishme për t’i dhënë vendit stabilitet dhe për t’i shmangur zgjedhjet që të pajtohemi për presidentin konsensual. Kosova ka nevojë për president, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Dhe ka nevojë për një president konsensual dhe kështu t’i krijojë mundësinë për stabilitet institucional dhe të përballet me të gjitha sfidat, me punët natyrisht që na presin edhe ato që u përmendën. Do të habitesha shumë që edhe pas 16 shtatorit, nëse partitë politike opozitare kanë qëndrimet e njëjta sikurse para 16 shtatorit”, ka thënë Rrustemi për KosovaPress. “Unë mendoj që pas 16 shtatorit secila parti politike opozitare që ka kalkuluar për ta pamundësuar Qeverinë Kurti duke e kufizuar në mandat nëpërmjet procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës, duhet të reflektojë dhe duhet të ulemi dhe të gjejmë një konsensus për sa i përket presidentit dhe pastaj të vazhdojmë punën, natyrisht secili në rolin dhe pozicionin e tij apo të saj”.

Rrustemi ka shtuar se tejkalimi i çështjes së presidentit do t’i mundësonte Kosovës të kishte institucione stabile dhe me mandat të plotë për t’u përballur me sfidën e Speciales dhe për t’i ofruar mbështetje të plotë shtetërore, me strategji të bashkërenduar, katër ish-krerëve të UÇK-së.

Rrustemi ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që një ditë më parë konstatoi se konstituimi i Kuvendit është kryer përtej afateve, se formimi i Qeverisë nuk është antikushtetues dhe caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.

“Vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e kaluar, për sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, që ndërlidhej me zgjedhjen e presidentit të Republikës, e kishte thënë decidivisht, shprehimisht që procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës fillon nga momenti i konstituimit të Kuvendit. Nuk mund t’i bartet një përgjegjësi institucionit dhe deputetëve, për sa kohë institucioni nuk është fuqiplotë dhe nuk ka kapacitet. Domethënë, ne e kemi pasur të pamundur të nisim procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës pa u konstituuar Kuvendi”, ka thënë ai. “Vetëm nga momenti i konstituimit duhet të fillojë dhe të rrjedhë ky afat. Megjithatë, e kemi këtë interpretim të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese, që e ka shkurtuar dukshëm periudhën dhe përpjekjen, natyrisht, për ta gjetur një president konsensual”.

I pyetur se mund të bëhet një kompromis me PDK-në që të sigurohen votat për president duke miratuar ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale, ai ka thënë se çështja e Speciale snuk duhet të trajtohet përmes kalkulimeve politike të ditës.

KOHA gjatë së enjtes u ka dërguar pyetje katër partive parlamentare shqiptare nëse do të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin dhe nëse aktgjykimi i Hagës ka ndryshuar qëndrimet e tyre politike. Por asnjëra prej tyre nuk ka kthyer përgjigje.