Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve në Luginë të Preshevës që të dalin e ta ushtrojnë të drejtën e votës e ta mbështesin “Koalicionin Shqiptar”.
Shqiptarët në zgjedhjet në Serbi, që po mbahen sot, janë bashkuar në një listë zgjedhore.
“Ju që ende nuk keni votuar, ju ftoj ta ushtroni të drejtën tuaj. Shfrytëzojeni kohën e mbetur. Secila votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen tuaj. Përbashkimi në “Koalicionin Shqiptar” kërkon sot pjesëmarrjen tuaj. Qëndresa ndaj diskriminimit dhe përkushtimi për barazi marrin forcë nga vullneti që shprehni në kutitë e votimit. Dilni e votoni. Ftojini edhe familjarët e miqtë tuaj që ta ushtrojnë këtë të drejtë. Mbështeteni “Koalicionin Shqiptar”, numrin 17. Për një zë të fuqishëm dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë jetën në vendlindje”, ka thënë Kurti nëpërmjet një videomesazhi të publikuar në Facebook.