КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Курти не жели нове изборе, стручњаци виде неуставност у том процесу

Албин Курти

Албин Курти

Фото: Дритон Пацхарада

Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, thotë se nuk i ka ndaluar. E sipas njohësve të punës së legjislativit, konstituimi i kuvendit, formimi i qeverisë dhe zgjedhja e presidentit mund të shpallen jokushtetuese për shkak të tejkalimit të afatit kushtetues. KOHA ka marrë vesh nga burimet e saj se Albulena Haxhiu do të propozohet sërish për postin e kryeparlamentares

Lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, ndonëse aktualisht nuk i ka votat e nevojshme.

Për të mërkurën është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, e nisur më 6 gusht. 

Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit nis të rrjedhë edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen e deputetëve të LVV-së në seancë.

“Vazhdojmë me takime e bisedime në mënyrë që ta zgjedhim presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet që janë të paarsyeshme dh të kushtueshme. Jemi vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’i shtroni pyetje atyre që po thonë se do e bojkotojnë zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Kurti. 

Kurti, nuk ka treguar se a do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive.

Por KOHA ka marrë vesh nga burimet e saj brenda LVV-së, se Albulena Haxhiu do të propozohet sërish për postin e kryeparlamentares. 

Të mërkurën bëhen 32 ditë nga 7 gushti – që ishte dita e fundit e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. 

Pavarësisht kësaj, Naim Jakaj, njohës i punës së legjislativit, ka thënë se të mërkurën duhet të inaugurohet Legjislatura e XI.

“Presim që Lëvizja Vetëvendosje, respektivisht kryesuesi Dehari, të mos bëjë fiskultura të ndryshme të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet, Rregulloren e Kuvendit të Kosovës dhe me praktikën parlamentare. Ai nesër duhet t'i kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje emrin për kryetar të Kuvendit, Vetëvendosja duhet ta propozojë, Kuvendi ta votojë dhe të shkohet me votim të nënkryetarëve”, ka thënë Jakaj.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, është shprehur se, edhe pse afati kushtetues ka kaluar, Kuvendi duhet të konstituohet, në mënyrë që të krijohet mundësia për kërkimin e një interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.

E sipas tij, skenar i mundshëm është që Legjislatura e XI të shpallet jokushtetuese.

“Por Gjykata Kushtetuese mund të ndodhë që ta shpallë këtë legjislaturë jokushtetuese, pastaj një qeveri jokushtetuese dhe një president jokushtetues. Por në këtë situatë ne nuk mund të vijmë nëse nuk e dërgon një grup prej 10 deputetësh në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë”, ka thënë ai.

Një ditë më parë, edhe Eugen Cakolli nga organizata KDI, ka thënë se seanca është thirrur jashtë afatit kushtetues.

Kurti më herët ka deklaruar se i ka 62 vota – të mjaftueshme për konstituim të kuvendit dhe formim të qeverisë, por jo edhe për zgjedhjen e presidentit. 

Në funksion të kësaj, LVV-ja dhe Lidhja Demokratike kanë arritur marrëveshje që si kandidat të përbashkët për kreun e shtetit ta propozojnë ish-gjyqtarin e Kushtetueses Bekim Sejdiu. 

Por marrëveshja nuk është përkrahur nga një e treta e deputetëve të LDK-së. 

Pa mbështetjen e tyre, Sejdiu ka 74 vota në dispozicion. 

Në Partinë Demokratike kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kandidatin e dakorduar nga LVV-ja dhe LDK-ja.

E në Aleancë, që përfaqësohet me shtatë deputetë në Kuvend, kanë vendosur gjashtë kushte për votimin e presidentit, të cilat deri tash nuk janë pranuar nga Vetëvendosja. 

Nëse kuvendi konstituohet të mërkurën, deputetët kanë kohë deri më 8 nëntor ta zgjedhin presidentin e ri. 

Nëse kjo dështon, atëherë vendi shkon në zgjedhje të cilat duhet të mbahen më së largu më 20 dhjetor.