КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Институт Геп: Деца у руралним подручјима без приступа предшколском образовању

класа

илустрација

Në shumë vendbanime rurale në Kosovë, fëmijët nuk kanë asnjë institucion parashkollor pranë tyre. Të dhënat e institutit GAP tregojnë se mundësia për edukim në fëmijërinë e hershme nuk është e njëjtë për të gjithë fëmijët, veçanërisht mes zonave urbane dhe atyre rurale.

Sipas gjetjeve të këtij Instituti, në Kosovë janë 278 institucione parashkollore të regjistruara, por 81 për qind prej tyre ndodhen në qytete.

Për sociologun Genc Xerxa, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt te fëmijët dhe mund të krijojë dallime në zhvillimin e tyre.

“Mungesa e institucioneve parashkollore te fëmijët 0 deri 4 vjeç, sidomos në vendet rurale, është penalizim, pasi që mbesin prapa gjatë mësimit të tyre, pastaj zhvillimit normal të sistemit, avancimit të sistemit kognitiv, pastaj socializimit apo shoqërimit dhe përgatitjes për shkollë. Çalojnë në krahasim me të gjithë ata bashkëmoshatarë të tjerë të cilët qëndrojnë apo jetojnë në vendet urbane dhe kanë mundësi të jenë në këto institucione parashkollore. Mos të flasim edhe për disa komunitete të cilat janë të mënjanuara dhe nuk kanë mundësi të kyçen në këto institucione”, ka thënë ai.

Por, problemi nuk është vetëm mungesa e institucioneve. Edhe aty ku ato ekzistojnë, përfshirja e fëmijëve mbetet e ulët.

Sipas Institutit GAP, vetëm 39 për qind e fëmijëve të moshës 4 deri në 6 vjeç janë të regjistruar në arsimin parashkollor dhe parafillor, nivel ku interesimi është dukshëm më i lartë.

Legjislacioni në fuqi përcakton se arsimi parashkollor përfshin fëmijët nën 5 vjeç, ndërsa arsimi parafillor fëmijët nga mosha 5 vjeç.

Ekspertët theksojnë se vitet e para të jetës janë veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës.

Sipas psikologut Rron Kastrati, qasja në institucione cilësore që në moshë të hershme mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve.

“Në çerdhe 2–3 vjeç, dhe 3–4 vjeç edukimi parafillor është cilësor dhe shumë i domosdoshëm, sepse ka një rol kyç të rëndësishëm me zhvillimet e potencialeve të fëmijës dhe zhvillimin social, emocional, gjuhësor dhe atë që gjithmonë e potencoj: kognitiv. Kur thosha kognitiv, ka lidhje me proceset e tija mendore, vëmendjen, përqendrimin, mënyrën se si interpreton e përpunon gjërat, dhe kjo është patjetër që duhet ta theksojmë për tërë shikuesit tuaj. Pra, edhe një herë tjetër si përfundim: sa më i vogël të jetë fëmija, aq më rëndësi ka cilësia e kujdesit dhe marrëdhënia e qëndrueshme me prindin apo me kujdestarin, jo thjesht fakti nëse është shtëpia apo çerdhja”, ka thënë psikologu Rron Kastrati.

Krahasuar me këto të dhëna, Kosova është larg standardeve evropiane për përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm.

Sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian, të paktën 45 për qind e fëmijëve nën 3 vjeç duhet të jenë të regjistruar në arsimin parashkollor, ndërsa për fëmijët e moshës 3–6 vjeç kjo përqindje duhet të jetë 96 për qind.