Për rastin e vdekjes së një punëtori, të cilin e zuri vinçi në një vendpunishte në Prishtinë, gjykata ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak tre personave të dyshuar. E njohësit e drejtësisë dhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat shprehin pakënaqësi për trajtimin e rasteve të vdekjeve në vendin e punës nga ana e sistemit gjyqësor në Kosovë
Блендина Велићи
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tre personave lidhur me vdekjen e punëtorit si pasojë e rënies së vinçit në një vendpunishte në Prishtinë.
Në një përgjigje për KOHËN, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar se ka kërkuar paraburgim për drejtorin e njërës nga kompanitë ndërtuese, për menaxherin e saj si dhe për punëtorin e autovinçit.
“Lidhur me rastin, tre personat e dyshuar janë arrestuar, prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit. Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë vendim që ndaj të dyshuarve të caktojë masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Drejtori dhe menaxheri dyshohen për veprën penale ''Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës'', ndërsa punëtori i autovinçit për ''Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm''.
Aksidenti fatal ndodhi më 28 korrik 2026, në të cilin përveç vdekjes së punëtorit, u lëndua edhe një person tjetër.
Lidhur me rastin, Inspektorati Qendror i Punës dhe Komuna e Prishtinës kanë vazhduar ta akuzojnë njëri-tjetrin për dështim dhe mosmarrje të përgjegjësisë pas vdekjes së punëtorit.
Për vdekjet në vendin e punës, avokati Ardian Bajraktari thotë se ka dështuar sistemi i drejtësisë dhe mekanizmat paraprakë për inspektim.
Ndërsa, për trajtimin e këtyre rasteve, ai theksoi se po shkelet e drejta për gjykim në kohë të arsyeshme si në çështjet penale e po ashtu edhe në ato civile.
“Në këtë drejtim edhe sa u përket këtyre rasteve qoftë për shkak të kompensimit qoftë edhe për shkak të humbjes së jetëve ose dëmtimeve në rrethana të tilla besoj që cenohet bukur shumë ky parim jashtëzakonisht i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Bajraktari.
Ankesa për trajtimin e rasteve të vdekjeve në vendet e punës pati edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi.
“Sa u përket gjykatave jo që jemi të kënaqur por jemi tepër të zhgënjyer me ta pasi ka raste që më shumë se 17 vjet ka konteste në mes pronarëve të kompanisë dhe familjarëve të këtyre rasteve që vdesin në vendin e tyre të punë”, ka thënë Azemi.
Azemi tha se zgjatja e procesit të këtyre lëndëve gjyqësore ndikon negativisht në palën e dëmtuar.
Vetëm gjatë vitit 2026, 20 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës ndërsa më 2025 humbën jetën 37 punëtorë.
Që nga viti 2021 e deri tash, në vendin e punës kanë humbur jetën rreth 100 punëtorë.