КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Хаџију, оптимистичан у погледу споразума са ДСК – посланик ВВ изражава сумње

Албулена Хаџиу

Фото: Дритон Пацхарада

Takimet mes Albin Kurtit e Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit janë shoqëruar me optimizëm për një marrëveshje, por edhe me dyshime nëse ajo do të mund të zbatohet në Kuvend. Derisa u.d. e presidentit Albulena Haxhiu pret rezultate pozitive, bashkëpartiaku i saj Adnan Rrustemi, thotë se duhet të ketë garanci për votat e deputetëve të LDK-së. E kritika për mënyrën se si po zhvillohen këto takime kanë adresuar deputetët e PDK-së dhe Aleancës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se mund të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ndërsa bashkëpartiaku i saj në Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes do të varet edhe nga zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike.

Të shtunën në mbrëmje janë takuar sërish kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku për të gjetur një emër konsensual për presidentin. 

Takimet mes dy liderëve i ka mirëpritur Haxhiu.

“Jam optimiste që do të kemi rezultate pozitive dhe presim që kjo të konfirmohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht kryetari i saj kryeministri Albin Kurti dhe në anën tjetër kryetari i LDK-së zotëri Lumir Abdixhiku. Unë uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara”, ka thënë Haxhiu.

Por Rrustemi ka thënë se, përveç arritjes së marrëveshjes mes dy liderëve, rëndësi do të ketë edhe që ajo të zbatohet nga deputetët e LDK-së.

Sipas tij, kjo është përgjegjësi e Abdixhikut si kryetar i kësaj partie.

“Ne e trajtojmë formalisht si kryetar të LDK-së. I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, ka thënë ai.

E kritika për të dy liderët kanë shprehur deputetë të Partisë Demokratike dhe Aleancës. 

“Pse nuk po e gjejnë kandidatin për president? Pse nuk po vjen në Kuvend, ta funksionalizojë Kuvendin? Sepse presidenti që do të zgjidhet, zgjidhet nga ky Kuvend. Jo nga skenarë politik qosheve e skutave, duke iu shmangur edhe gazetarëve, duke i nënçmuar edhe qytetarët e Kosovës, e duke mos i informuar saktë se çfarë po ndodhë”, është shprehur deputeti nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri.

Njëjtë, kritika ka shprehur edhe deputeti nga radhët e Aleancës, Burim Ramadani.

“Edhe në takimin e mbrëmshëm, nuk e thonë asnjë fjalë, asnjëra palë se çka fiton populli i Kosovës prej këtyre takimeve. Cili është përfitimi i popullit të Kosovës që këta po takohen në orët e mbrëmjes, në orë të vona, si mbrëmë. Krejt çka flasin është për poste”, ka thënë ai të dielën.

Pas takimit të së shtunës mes Kurtit dhe Abdixhikut nuk ka pasur konferencë për shtyp.

E në media është raportuar se palët kanë gjetur konsensusin tek emri i ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, i cili nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me këto raportime.