Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se emri i veprimtarit të LPK-së, Behajdin Allaqit, u përmend në gjykimin dënues ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së për të krijuar huti dhe përçarje në Kosovë.
Sipas përfundimeve të Gjykatës Speciale, Allaqi u arrestua në shtabin e UÇK-së në Drenoc dhe gjykata tha se ishte bindur se ai ishte vrarë. Në rastin e Hashim Thaçit, gjykata konstatoi përgjegjësi personale lidhur me arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Allaqit.
Haradinaj ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar përgjegjësia për krimet e pretenduara gjatë luftës, duke thënë se, nëse ka pasur raste konkrete të krimeve, ato është dashur të hetohen dhe gjykohen në Kosovë, e jo që përgjegjësia të trajtohet në mënyrë kolektive.
“E përmend (emrin e Allaqit v.j.) për të krijuar huti, përçarje këtu. Sepse fjalët që janë folur përpara në këto raste, gjykata u mor me thashetheme. Thashethemet u shndërruan në verdikt”, ka thënë Haradinaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka deklaruar se nuk mund të kërkohet që udhëheqësit e UÇK-së të dinin për çdo veprim të secilit ushtar apo komandant zone.
“S’ka mundur Hashim Thaçi me ditë çka ka bërë një ushtar, s’ka mundur as komandanti i zonës”, është shprehur Haradinaj.
Duke folur për proceset në Dhomat e Specializuara, Haradinaj ka thënë se e sheh me dyshim mundësinë e suksesit në apel, por nuk e konsideron të pamundur. Sipas tij, mbështetja institucionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së ka qenë e kufizuar.
Në fund, Haradinaj ka bërë thirrje për bashkim.
“Ne na duhet unifikimi, vullneti dhe fuqia”, u shpreh ai.
Харадинај: Ови мирни протести ме плаше, побуна се спрема
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se qetësia që po mbretëron në protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së e shqetëson, pasi sipas tij, pakënaqësia e qytetarëve po grumbullohet.
Haradinaj ka deklaruar se revolta e krijuar nga vendimi i Gjykatës Speciale nuk është e momentit, por po rritet gradualisht.
“Këto protesta kaq të qeta, kaq edukuese po më frikësojnë. Sepse këtu po mblidhet revolta. Revolta e afektit është e momentit. Revolta që po shkon duke u grumbulluar, mendoj që dikur politikanët s’kanë me pyet”, ka thënë Haradinaj në “Interaktiv”.
Ai ka paralajmëruar se politika duhet ta ketë parasysh reagimin e qytetarëve.
“Politikës i bie keq. Sot detyrë me kontrollu masën është edhe verdikti i gjykatës, sepse dënuan në emër të popullit”, ka deklaruar Haradinaj.