КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Све је спремно за „Марш за слободу“

Марш за слободу

Pak orë para nisjes së “Marshit për Liri”, sheshi “Skënderbeu”, në Prishtinë ka nisur të marrë pamjen e një tubimi masiv në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në shesh është duke u përgatitur skena ku do të mbahet programi i organizuar nga Platforma “Liria ka Emër”, ndërsa në qendër të kryeqytetit kanë filluar të mblidhen qytetarë nga vende të ndryshme.

Në disa pjesë të shesheve janë vendosur edhe tezga ku shiten flamuj dhe simbole kombëtare.

Organizatorët kanë bërë të ditur se marshi “Kosova po Pret” do të nisë në orën 14:00, i cili po mbahet para shpalljes së verdiktit final të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ismail Tasholli, organizator i Platformës “Liria ka Emër”, tha se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se Prishtina është gati të mirëpresë pjesëmarrësit nga mbarë Kosova.

“Janë detaje shumë të vogla, po kryesorja është kry. Ka mbetë veç edhe një pikë e radhës. Krejt Kosova do të marrë në Prishtinë, Prishtina është gati. Prishtina e ka zemrën e madhe për secilin qytetar të saj, ka hapësirë për të gjithë. Hajde sa më herët, sa më mirë, se edhe nuk i bllokojmë rrugët. Kështu që çdo gjë është gati”, tha Tasholli.

Ai njoftoi se nisja e qytetarëve nga komunat e ndryshme ka filluar që nga ora 10:00, ndërsa organizimi i transportit është bërë në bashkëpunim me komunat.

Sipas tij, programi do të përfshijë edhe pjesëmarrjen e këngëtarëve Arif Vladi dhe Shkurte Fejza.

“Në përgjithësi nisja është nga ora 10:00, mandej varion nëpër komuna të ndryshme. Komunat faktikisht e kanë organizuar, ne jemi bashkërenduar me ta edhe i kanë oraret e tyre, orarin e pikës së takimit, grumbullimit edhe nisjes. Po, ka me pasë këngëtarë, po. Janë dy… është Arif Vladi dhe Shkurte Fejza dhe përmbyllet me Shkurte Fejzën marrë fjalën, po e lëmë për atëherë. Edhe të tjerat kemi me i pa se edhe pak orë na ndajnë… na ndajnë prej marshit të Lirisë së Kosovës… Ne presim që procesi të jetë i drejtë. Ne mendojmë që djemtë tanë do të vijnë sepse lufta jonë ka qenë e drejtë dhe ne shpresojmë që drejtësia do të triumfojë, tha ai.

Tasholli tha se pritshmëritë për pjesëmarrje janë të mëdha, duke e cilësuar marshin si një nga tubimet më masive deri më tani.

Në mesin e qytetarëve që kanë ardhur për të marrë pjesë në marsh është edhe Abdullah Aliu, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili ishte i veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se kishte ardhur për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre.

“Emocionet janë të mëdha sot për këta burra, na ka çlirua vendin UÇK-ja. Patjetër janë të mbajtur padrejtësisht në Hagë, jo, gjykata është e padrejtë, e padrejtë. Për këta burra tonë, a po kupton? Me respekt për ta, i presim me zemër edhe në shtëpi… Po, duhet patjetër. Ka me u mbush sheshi sot për këta burra. Ne për këtë send kemi ardhur sot, edhe ata ushtarë që kanë shkuar në Hagë. E për këta burra me u mbajtur padrejtësisht në Hagë, katastrofë”, tha Lahu.

Ndërkaq, Hazir Selmani, i cili kishte ardhur nga Zvicra enkas për marshin, tha se pjesëmarrja e tij ishte në mbështetje të çlirimtarëve dhe në kërkim të drejtësisë.

“Enkas. Në mbështetje të çlirimtarëve tanë, në kërkim të drejtësisë dhe lirimit të tyre. Uroj dhe shpresoj se drejtësia do të vijë nga ana e tyre dhe ata do t’i kthehen familjeve të tyre dhe vendit që kanë dhënë shumë për të. Është e papranueshme, të rrinë aty pa asnjë bazë, me ato akuza të kurdisura prej Serbisë, prej Rusisë. Çfarë mund të thuhet tjetër? Nga ’16-ta aty janë, të kthehen aty ku kanë lindur, këtu ku kanë lindur dhe kanë bërë shumë për ne”, deklaroi Selmani.

Ai tha se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbështesin ish-krerët e UÇK-së edhe në rast të një vendimi të pafavorshëm.

“Patjetër, nuk duhet me u ndalur, me u dorëzuar asnjëherë. Nuk besoj që kjo do të ndodhë, por nëse ndodh, duhet me qenë të gjithë në anën e tyre. Organet e shtetit, institucionet e shtetit, kombi i shtetit, çdo shqiptar çfarë ka mundësi me bërë në mbrojtje të drejtësisë. Besoj që nuk do të ndodhë ajo, por nëse ndodh, duhet me vepruar mjaft. Për mua, ata që janë kundër e keni parasysh se në çfarë gjendje jemi. Për mua është e papranueshme. Anti-kombëtare. Turp është. Nuk ka dashur me ndodhë se ne duhet t’i përkrahim ata, i njohim vetëm si çlirimtarë”, tha Selmani.

Edhe Bajram Zeqiri tha se pjesëmarrja në marsh ishte një mënyrë për t’u solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së.

“100%. 100% jam i bindur se do të lirohen se në qoftë se dënohen ata, dënohet krejt UÇK-ja dhe shteti i Kosovës. Edhe dënohet edhe NATO-ja me bombat e NATO ‘99-ës të Jugosllavisë e Amerika nuk e lejon këtë. S’janë të pafajshëm edhe pres që të ketë sa më shumë protestues. Jam i bindur që do të dalin protestues nesër në Prishtinë deri në 200 mijë vetë… Do të marrin pjesë deri në 300 mijë shqiptarë protestues kundër… Po, qeveria duhet krejt ata me qenë këtu se këtu nuk ka parti. Kjo është gjë popullore e gjithë kombit shqiptar. Nuk këqyret këtu partia apo individi, këtu është çështja kombëtare e kombëtare shqiptare”, tha Zeqiri.

Marshi “Kosova po Pret” do të nisë në orën 14:00 në Prishtinë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve. /KP

Прочитајте друга ажурирања
марш у знак подршке УЦК-у

Марш подршке бившим вођама ОВК