КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Још један раскол у ДСК

ЛДК

Фото: Дритон Пацхарада

Çarje e re është shkaktuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pakënaqësitë, që u ndezën muaj më parë pas dakordimit të kryetarit Lumir Abdixhiku me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për propozimin e Bekim Sejdiut për president, u rritën pas qëndrimit të partisë për të mos mbështetur ndryshimet ligjore në Ligjin për Specialen.

LDK-ja nuk e votoi Ligjin për Specialen e as nuk mori pjesë në votimin e presidentes Justina Shiroka-Pula të martën. 

Kjo parti nuk e mbështeti projektligjin as në lexim të parë të hënën. Menjëherë pas kësaj pati reagime, ndërsa “vulë” i dha dorëheqja e Xhafer Gashit nga të gjitha pozitat në LDK. Ai qe anëtar i Kryesisë dhe kryetar i degës në Obiliq. Gashi tha se nuk mund t’i mbajë pozitat kur qëndrimi i partisë për këtë çështje bie ndesh me përgjegjësinë që ndjen ndaj njerëzve që përfaqëson. 

E partia ka thënë se nuk e ka mbështetur ndryshimin ligjor duke pretenduar se iniciativa “nuk prodhon efektin juridik që u premtohet qytetarëve”.

“Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi. Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm”, thuhej në reagimin e LDK-së.

Të martën, deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, hyri i pari në Kuvend nga grupi i tij parlamentar. Ai në një shkrim në Facebook e ka cilësuar të martën si ditën më të rëndë në karrierën e shkurtër politike të tij.

“Dje ka qenë dita më e rëndë e karrierës sime të shkurtër politike. Kam mendu që është e fundit. I ndarë mes përgjegjësisë institucionale, drejtësisë, të kaluarës së rëndë të LDK-së dhe dashnisë time të pashtershme për UÇK-në, kam zgjedh me respektu vendimin e përbashkët të partisë. Ajo që është më e vështirë është me jetu me vendimet e tua”, ka shkruar Sadiku mes tjerash.

Ndaj qëndrimit të LDK-së me çështjet e fundit ka reaguar edhe ish-deputetja e këtij subjekti politik, Adelina Thaçi-Meta. Ajo është shprehur “Partia ime, Zoti të ndihmoftë. Por mbi të gjitha, kthjellohu.”

Sipas artistes Thaçi-Meta dashuria për një parti nuk duhet të jetë më e madhe sesa dashuria për parimet që ajo parti thotë se i përfaqëson. 

“Nëse nuk kthjelleni, nëse nuk tregoni se dini të merrni vendime, të jeni konsistentë në atë që mendoni se është e drejtë, të këmbëngulni kur duhet dhe të lini anash inatet personale e pazaret e vogla; nëse nuk i afroni njerëzit dhe nuk e kuptoni se askush nuk fiton duke i larguar njerëzit e vet, atëherë do të shkoni aty ku nuk dëshiron askush që ju ka besuar. Këtë nuk po e them nga inati. Po e them sepse më dhemb. Dhe ndoshta pikërisht sepse më dhemb, nuk mund të hesht”, ka shkruar Thaçi-Meta.

Humbëse të madhe e ka quajtur LDK-në pas qëndrimit të tyre në Kuvendin e Kosovës për dy çështjet që u votuan: ndryshimi i Ligjit të Speciales dhe zgjedhjes së presidentes, një nga themelueset e këtij subjekti politik, Melihate Tërmkolli. 

“LDK - kjo humbëse e madhe! Mbrëmë kah zyrat e saj nuk kaloi kush as gjë tjetër veç hijes së një lubie, hijenave që hanin njëri tjetrin dhe do “hafijeve” për t’ja vënë drynin! Dëm i madh për Kosovën! E rëndë, e dhimbshme deri n’kupë t’qiellit, veçmas për ne që e bëmë LDK- n, lëvizje- parti të dritës, të lirisë e pavarësisë së Kosovës- Dardanisë tonë! Zoti e bekoftë Dardaninë!”, shkroi Tërmkolli.

Qëndrimin e saj vazhdoi ta mbështesë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës, nuk mori fare pjesë.

Bajrami uroi presidenten Shiroka-Pula për marrjen e postit dhe theksoi se e ka potencuar që nga fillimi që gjashtë deputetët e LDK-së nuk e çojnë vendin në zgjedhje.

“Ju kam thanë: ''Gjashtë deputetë të LDK-së nuk e çojnë vendin në zgjedhje''. Urime Kosovë për Presidenten! Uroj sinqerisht që profesoresha si presidente ta mbajë balancën mes pushteteve, unitetin shoqëror, ta respektojë Kushtetutën dhe interesin e vendit. Shumë suksese, Presidente!”, shkroi Bajrami.

Deputetja Bajrami bën pjesë në grupin e gjashtë deputetëve të LDK-së që refuzuan ta votojnë kandidatin Bekim Sejdiu si emër që buroi nga marrëveshja e këtij subjekti politik me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pasi nuk pati mbështetje të plotë nga të gjithë deputetët e këtyre subjekteve politike, Sejdiu u tërhoq nga gara.

Presidente mes të martës dhe mërkurës së 6 dhe 7 tetorit u zgjodh kryeakademikja Justina Shiroka-Pula me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.