КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

43 сведока ће признати убиство 370 албанских цивила

43 сведока ће признати убиство 370 албанских цивила

Dhjetëra dëshmitarë do të jenë pjesë e procesit gjyqësor për kryerësit e masakrës më të madhe në Kosovë, asaj të Mejës, ku u vranë 370 shqiptarë. Një prej tyre, ka rrëfyer se si serbët i thanë se “po therin shqiptarë”. Sipas aktakuzës, operacioni dyditor në prill të 1999-s i njohur si “Reka e Keqe” nisi si akt hakmarrjeje, pasi në atë zonë, pjesëtarë të UÇK-së i vranë pesë policë serbë

Nikë Peraj është dëshmitar kyç i Prokurorisë Speciale në gjykimin për kryerësit e Masakrës së Mejës, që do të nisë të martën.

Ish-ushtari i Ushtrisë Jugosllave, dëshmia e të cilit ka qenë pjesë e procedurave edhe në Tribunalin e Hagës, në detaje ka treguar për ngjarjet e 27 prillit 1999 kur, sipas aktakuzës, u vranë 370 civilë shqiptarë.

Dëshmia e tij është pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur në dhjetor të vitit 2023 për masakrën më të madhe gjatë luftës në Kosovë, e ku akuzohen 53 serbë.

Ai ka rrëfyer se në fillim të marsit të vitit 1999, Momir Stojanoviqin, atëherë shef i Departamentit të Sigurisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës kishte folur për një plan për spastrimin etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Gjakovës.

“Ai ka thënë se në krim kanë marrë pjesë pjesëtarët e UJ-së, ata të MPB-së dhe rezervistët e tyre, si dhe pjesëtarët e mbrojtjes territoriale dhe formacione të shumta paraushtarake, prej të cilëve për mizori janë dalluar pjesëtarët e formacionit paraushtarak, të ashtuquajturit ‘Frenkijevcat’, të cilët ishin nën komandën direkte të MPB-së. Gjithashtu tregoi se Stojanoviqi kishte thënë në fillim të marsit 1999 se forcat e RFJ-së/Serbisë do të spastronin etnikisht popullatën shqiptare në komunën e Gjakovës. Në fshatin Nec kishte parë Novica Stankoviqin, i cili mbante një hartë me pika ku duhej të sulmonin fshatrat. Më 29 prill kishte parë një kamion të mbushur me trupa të njerëzve të vrarë që vinte nga drejtimi i Mejës. Të njëjtën ditë kishte marrë pjesë në një tubim në mes ushtrisë, policisë dhe fshatarëve në fshatin Jahoc, ku para tubimit Peroviqi i kishte thënë se duhet të vriten të gjithë meshkujt nga mosha 18 e 65 vjeçar”, thuhet në aktakuzë, për dëshminë e Perajt.

Nikë Peraj ka dëshmuar se më 29 prill i ka parë dy kamionë të ngarkuar me rreth 40 kufoma duke shkuar nga Meja në drejtim të Gjakovës. Kufomat ishin të mbuluara me mushama, por ai i ka parë ato kur era ngriti mbulesën.

“Sipas Perajt, shef i komisionit të spastrimit të zonës dhe mbledhjes së kufomave ishte një inspektor i lartë sanitar, i cili bashkëpunonte në komision me një major të UJ-së të quajtur Lubisha Zhivkoviq. Ai tha se UJ-ja dhe MPB-ja kërkuan buldozerë pas masakrave të Mejës, kinse për rregullimin e rrugëve, por ai dyshoi se duheshin për heqjen e kufomave. Rrugës ka parë autobusët me plotë civilë, që përcilleshin nga veturat e blinduara të policisë. Më vonë kishte kuptuar se autobusët ishin dërguar në sallën sportive në Gjakovë, dhe më vonë kishte dëgjuar se këta njerëz ishin vrarë në Batajnicë”, thuhet në aktakuzë për dëshminë e Perajt.

Po ashtu në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, njëri nga dëshmitarët e mbrojtur, me shifrën “K90”, ka rrëfyer se si më 27 prill 1999 një polic serb i ka thënë se “po therim shqiptarë”.

“Dëshmitari kishte shkuar dhe kishte parë se si policët serbë po i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët, po ua merrnin paratë dhe arin atyre. Po ashtu kishte parë duke i detyruar të këndonin këngë nacionaliste serbe. Dëshmitari kishte parë gjithashtu se si policët serbë, kishin futur brenda një shtëpie disa civilë shqiptarë dhe më pas aty ishin dëgjuar të shtëna të shumta të armëve. Dëshmitari kishte parë se brenda shtëpisë ishin disa civilë meshkuj të vrarë dhe kur kishte pyetur një polic se pse po e bënin këtë, ai i ishte përgjigjur: ‘Po therim shqiptarë’”, thuhet në aktakuzë për dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur “K90”.

E dëshmitari Martin Pajshi ka thënë se nga kati i tretë e ka parë se si polici Predrag Stojanoviq i ka vrarë shtatë burra shqiptarë, afër urës së lumit Trava.

“Nga deklarata e dëshmitarit Martin Pajshi, e dhënë me datë 15.08.2012, rrjedh se më datë 27 prill 1999 nga kati i tretë i shtëpisë kishte parë se si polici Predrag Stojanoviq i cili ishte nga fshati Dubravë/Deçan, kishte ekzekutuar 7 meshkuj civilë shqiptarë në afërsi të urës së lumit Trava”, thuhet në aktakuzë për dëshminë e Pajshit.

Ndërkaq tutje aty thuhet se në mesin e policëve të cilët ishin urdhëruar për ta kryer ekzekutimin, ka qenë edhe Milje Stojanoviq. Ai ka dëshmuar edhe se e ka parë edhe policin Dragutin “Guta” duke ndarë civilët shqiptarë nga kolona.

Dëshmitari tjetër Kole Merturi ka treguar se si e ka parë Daniel Berishën, viktimë të masakrës së Mejës, i cili ka qenë i djegur dhe i plagosur. E viktima i kishte treguar se si në shtëpinë e tij janë vrarë 5 persona e shtëpisë i ishte vënë flaka.

Dëshmitë e përfshira në aktakuzë pritet të jenë pjesë e procesit gjyqësor që do të nisë të martën.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në qershor të 2025-s është lexuar aktakuza që i ngarkon 53 ish-pjesëtarë të strukturave ushtarake e policore serbe me përgjegjësi për vrasjen e 370 civilëve shqiptarë.

Sipas aktakuzës, operacioni dyditor i njohur si “Reka e Keqe” nisi si akt hakmarrjeje, pasi në atë zonë, pjesëtarë të UÇK-së i vranë pesë policë serbë.