Qeveria ka ndarë 14 milionë euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit. Deri tani, përmes platformës e-Kosova kanë aplikuar rreth 177 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë, ndërsa ekzekutimi i mjeteve pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme. Për herë të parë, në këtë skemë janë përfshirë edhe nxënësit, prindërit e të cilëve nuk kanë leje qëndrim zyrtar në Kosovë, por fëmijët e tyre ndjekin mësimin në vend
Ekzekutimi i mjeteve për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.
Për këtë qëllim, nga buxheti i shtetit janë ndarë 14 milionë euro për vitin e ri shkollor 2026/2027.
Drejtoresha e Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Anita Kadriu, ka bërë të ditur se deri tani përmes platformës e-Kosova kanë aplikuar rreth 177 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë.
“Prej 177 mijë aplikimeve që janë regjistruar në platformën e-Kosova, 59 mijë janë trajtuar, 58 mijë janë aprovuar dhe 393 persona janë refuzuar. Që nga e marta ka filluar verifikimi i aplikimeve për tekstet mësimore….Gjithsej shuma e ndarë në ligjin për buxhetin për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore është 14 milionë euro”, ka bërë të ditur Kadriu.
Kadriu ka thënë se ende nuk është përcaktuar shuma që do t’u ndahet nxënësve të klasave 1 deri në 5 dhe atyre të klasave 6 deri në 9. Sipas saj, kjo do të bëhet pasi të përfundojë afati për aplikim.
Afati fillestar për aplikim ishte deri më 9 gusht, por Ministria e Arsimit e ka shtyrë atë deri më 14 gusht.
Këtë vit, për herë të parë, mundësia për subvencionim u është dhënë edhe nxënësve, prindërit e të cilëve nuk kanë leje qëndrim të përhershëm në Kosovë, por fëmijët e tyre ndjekin mësimin në institucionet arsimore të Kosovës.
“Ne si ministri e arsimit e kemi bërë shtyrjen e afatit deri të premten, arsyeja pse është shtyrë afati është se kemi një kategori të prindërve që aplikojnë dhe që janë jashtë Kosove, d.m.th. janë me leje qëndrimi të përkohshëm dhe ata prindër që nuk kanë leje qëndrimi zyrtar rezident të Republikës së Kosovës dhe fëmijët e tyre vijojnë mësimin në institucionet arsimore në Kosovë, ne ju kemi dhënë mundësinë që sivjet të aplikojnë dhe të subvencionohen. Ky numër i prindërve që zakonisht janë nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria i kanë sjell dokumentet fizikisht dhe në mënyrë elektronike në Ministri të Arsimit”, ka thënë Kadriu.
такође
Муја: Данашње „позориште“ у Парламенту је увертира у предизборну кампању
Përmes kësaj skeme po subvencionohen edhe nxënësit me nevoja të veçanta, nxënësit e Qendrës Korrektuese në Lipjan, si dhe nxënësit nga SOS fshatrat.
Ky është viti i katërt që Ministria e Arsimit dhe Shkencës aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe materialeve shkollore nga vetë prindërit.
Kjo praktikë ka nisur në vitin shkollor 2023/2024, gjatë mandatit të ish-ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.