CDF-ja me projekt për zhvillimin e komuniteteve, Kaçaniku pikënisje

CDF-ja me projekt për zhvillimin e komuniteteve, Kaçaniku pikënisje

18 qershor 2018 10:29

Me futboll, festë, muzikë e diell, u përcoll pikënisja e aktiviteteve nga Fondi për Zhvillim Komunitar, CDF.

Organizata CDF, udhëheqëse e partneritetit të programit BRICK dhe organizatave zbatuese, Integra, ICK, CCPA-Kosova dhe Columbus Institute, zbatojnë aktivitete të ndryshme me nxënës të shkollave fillore e të mesme në Komunën e Kaçanikut.

Programi BRICK ka vetëm një qëllim, zhvillimin pozitiv të të rinjve në Kosovë, respektivisht të nxënësve e të rinjve në këtë komunë, raporton KTV.

E një prej tyre ishte turneu i futbollit që u zhvillua të dielën në Kaçanik, nga organizata CCPA-Kosova.

Pasi përfunduan përgatitjet e fundit, me diellin që ledhatonte fytyrat e njoma e të buzëqeshura të nxënësve nga Kaçaniku, u bë hapja e turneut nga kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi.

Në këtë turne, morën pjesë 12 shkolla fillore të mesme të ulët të Kaçanikut dhe fshatrave përreth.

12 ekipe prej këtyre shkollave fillore të mesme të ulëta ishin në konkurrencën e meshkujve dhe tri të tjera në konkurrencën e femrave.

Nën tingujt e këngëve të ndryshme, veçanërisht të këngës zyrtare të këtij Botërori, u shënuan edhe golat e parë.

Disa gëzoheshin, disa patën hidhërim, e arsimtarët që ishin edhe trajnerë, nuk reshtën në asnjë moment për t’u dhënë nxënësve instruksionet që i pranonin me kënaqësi.

Pas disa orëve, erdhi koha e finales, e cila rezervoi emocione të veçanta, me shkollën Emin Duraku dhe Idriz Seferi që ishte kualifikuar pa lojë.

Goli me kokë në fundin e ndeshjes i nxënësve të fillores “Emin Duraku”, një koordinim dhe gjuajtje e përkryer që përfundoi në rrjetë, për këta nxënës thoshte shumë.

Ata ngritën lart më pas trofeun e çmuar dhe krenarë me të arritur, mbanin në qafë edhe medaljet e fituara.

Për arsimtarin e trajnerin e skuadrës, Sadat Bunjaku, me rëndësi ishte numri i madh i fëmijëve dhe bashkimi i tyre në një ambient të vetëm.

Vendin e tretë e mori shkolla “Naim Frashëri” e fshatit Kotlinë.

Megjithatë, epitetin e futbollistit më të mirë të turneut e mori talenti Gentrit Zeneli, që vinte nga skuadra finaliste.

Në konkurrencën e femrave, fituese ishte SHFMU “Jusuf Gërvalla” nga fshati Biçec, pas penalltive.

Koordinatori i organizatës CCPA-Kosova, Visar Peja, tha se në turneun e ardhshëm, numri i pjesëmarrësve do të dyfishohet.

Peja thotë se organizime të tilla do të vazhdojnë edhe më tutje, duke e marrë parasysh numrin e madh të kërkesave për sport në këtë Komunë.

E menaxheri i organizatës CDF, Labinot Bajrami, bëri të ditur se organizime për të rinjtë do të ketë edhe në lami të tjera.

Mesazhi nga kjo garë ishte i qartë.

Kaçanikasit kanë nxjerrë breza të artë sportivë dhe e kanë kulturën që i mban ata të bashkuar drejt arritjeve dhe synimeve pozitive që i kanë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme