Sport

27 vjeçari që preku botën, falë futbollit të vogël

Fotografia e fundit e postuar nga Agon Ramadani në “Facebook”, me Kupën e Fituar në finalen e Play-Offit të Superligës së Kosovës në futsall, nuk është e vetmja.

Momentet e veçanta me kupa për Ramadanin, janë bërë të zakonshme në vitet e fundit dhe ndryshe në Kosovë për futboll të vogël, ai njihet si “njeriu i trofeve”.

Sukseset e arritura në futboll të vogël, në të gjitha llojet e terreneve, në beton, parket e rërë, kanë bërë që 27-vjeçari të prekë vende të ndryshme të botës, raporton KTV.

Ramadani thotë se është i hapur për të luajtur me ekipe, të cilave u mungojnë Kupat.

Lojtari, që është ndër më të mirët në lojën e futbollit të vogël në vendin tonë, në fakt karrierën e ka nisur si 7-vjeçar në futboll të madh.

Ka qenë pjesë e skuadrave të njohura si FC Prishtina, Drita, Feronikeli, Hysi, 2 Korriku e KEK-ut në vitin 2013, kur edhe e la futbollin për të nisur aventurën e re.

Menjëherë iu bashkua ekipit të futsallit Feniksi nga Drenasi, ku për 4 vjet karrierë, ka arritur të shpallet dy herë kampion i Kosovës.

Sukseset e arritura dhe paraqitjet e mira me këtë ekip, kanë bërë që në vitin 2016 si kampion i Kosovës, të debutojë në garat evropiane, në UEFA Futsal Cup, ku e mbylli kampanjën me tre gola të shënuar.

Deklarata: Agon Ramadani – Lojtar i futbollit të vogël (2)

Sukseset e arritura në futboll të vogël, kanë bërë që Agon Ramadani të prek vende të ndryshme të botës. Ai ka marrë pjesë në turne që janë zhvilluar në Brazil, Itali disa herë, Bullgari e Mal të Zi, dhe me Feniksin në Andorrë, Kazakistan e Maqedoni.

Por, cili është udhëtimi më i mirë për të?

Çuditërisht, në familjen e Agonit, babai Remziu dhe vëllai Fisniku, janë marrë me basketboll, por karriera dhe ëndrra e tij për futboll, nuk është ndikuar nga ta.

Futbollisti, që sivjet me Feniksin është shpallur kampion në Superligën e Futsallit dhe ka qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës nga Drenasi, është edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në “Beach Soccer”.

Ai madje së fundmi ka qenë edhe i grumbulluar në Kombëtaren e Shqipërisë.

Për t’u përmendur është edhe fakti se nuk ka garë në Kosovë me përmasa të mëdha në futboll të vogël, që nuk është fituar së paku një herë nga top-sulmuesi Ramadani.

Nëse ekipit i duhet patjetër, Agoni e luan edhe rolin e heroit si portier.

Agoni nga udhëtimet e tij veçon finalen e Kampionatit Evropian 2018 në futsall që është zhvilluar në Slloveni. Moment të paharruar në jetë si tifoz i Romës që është, e quan ndeshjen vendimtare ndërmjet Romës dhe Barcelonës, ku romakët siguruan gjysmëfinalen.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Ramadani synon që karrierën ta vazhdojë si trajner, pasi e ka edhe Licencën B të trajnerit dhe kërkon sfida të mëdha edhe në këtë profesion.