Sport

Mbahet turneu për grupmosha të reja për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës

Descriptive Text

Turneu “11 Qershori” në Prishtinë, u organizua nga shkolla e futbollit “ Vigani”.

Për herë të tretë radhazi është duke u mbajtur turneu “11 Qershori”, në Prishtinë për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Ky turne këtë vit mbahet me një jave vonesë, pas vdekjes së kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.

Drejtori i shkollës së Futbollit “Vigani” nga Prishtina, Fetah Veliu është mjaft i kënaqur me mbarëvajtjen e këtij turneu si dhe me pjesëmarrjen e ekipeve si nga Kosova ashtu edhe nga jashtë Kosova.

“Turneu i tretë me radhë të cilin organizon shkolla e futbolli Vigani me rastin e 11 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Kështu që me këtë rast kemi ftuar tetë skuadra nga Kosova, nga viset etnike shqiptare të Maqedonisë nga Lugina e Preshevës. Edhe do të thotë ne e kemi një manifestim me rastin e kësaj date themi me rëndësi historike, njëherësh edhe dëshira është që t’i bëjmë bashkë të gjithë fëmijët e viseve tjera etnike, ta shënojmë këtë ditë të njihen fëmijët gjenerata e reja me këtë datë të rëndësishme historike. Kështu sot jemi me një festë të madhe shtetërore, Ditën e Çlirimit të Prishtinës”, tha Veliu.

Pjesëmarrëse në këtë turne ishte edhe skuadra e Shkëndijës e cila tash e 3 vjet radhazi merr pjesë në këtë turne me gjenerata të ndryshme, raporton kp.

Trajneri i kësaj skuadre, Bashkim Idrizi çmoi lartë organizimin e këtij turneu dhe theksoi se Kosova ka nevojë për organizime të tilla.

“Është e vërtetë që për herë të dytë marrim pjesë në këtë turne për grup-mosha të reja. Ne jemi shumë të kënaqur me organizimin e këtij turne, gjithashtu do të thotë se ky turne mbahet për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, jemi shumë të kënaqur dhe urojmë që ky turne të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Jemi falënderues ndaj profesorit Fetah Veliut për ftesën dhe mendojmë se organizimi është mjaftë i mirë”, shtoi Idrizi.

Ndërkaq njëri nga lojtarët e shkollës së futbollit Vigani, Nart Gashi pohoi se kjo është një mundësi e mirë për të, për t’u shoqëruar me persona të ri nga Kosova dhe jashtë saj.

“Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në këtë turne dhe mendojë që mund ta fitojmë kupën dhe të zgjidhem lojtari më i mirë në këtë turne”, pohoi Gashi.

Në fund të këtij turneu, fituesit dhe tre vendet e para do të stolisen me kupa dhe medalje si dhe pritet të shpërndahen edhe çmimet individuale si lojtari më i mirë dhe portieri më i mirë në turne.