Sport

Me konkurs në kërkim të talenteve, FC Prishtina futsall mobilizohet për sezonin e ri

Numër i madh i lojtarëve të futsallit, u mblodhën të enjten në mbrëmje për t’i treguar vlerat e tyre, e për të siguruar në fund një vend në FC Prishtina Futsal.

Një gjë e tillë është organizuar nga klubi “Bardhekaltër” nga kryeqyteti, që me komision të përbërë nga Synaj Keqi, Mehmet Kurda e Arben Zhjeqi, por mundohen të gjejnë ajkën e talenteve nga Kosova, transmeton KTV.

Dihet se kryeqytetasve i është larguar një numër i madh i futbollistëve të futbollit të vogël, dhe drejtori i skuadrës, Fatos Dili, thotë se ka nisur mobilizimi menjëherë për edicionin e ri.

Se ka talente në këtë grumbullim e pranojnë edhe anëtarët e komisionit vlerësues, Synaj Keqi e Mehmet Kurda, që të dy futbollistë të futbollit të madh e të vogël.

Trajneri i ekipit Huar Morina tha se beson se do të dalë ndonjë nga ta që do t’ua mbushë syrin në fund. Ai madje foli edhe për cilësitë që duhet t’i ketë një lojtar.

Liridon Lahu është njëri nga lojtarët që beson fuqishëm se do të zë vendin në ekipin e klubit “Bardhekaltër” nga Prishtina.

FC Prishtina futsal në sezonin e rregullt 2017/18 në Superligën e Futsalit përfundoi në vendin e katërt, ndërsa në Play-Off u eliminua në gjysmëfinale nga kampioni, Feniksi.