Sport

Bushi thotë se Panuccit i duhet kohë, beson në menaxhimin e tij

Descriptive Text

Përfaqësuesja shqiptare U-21 do të zhvillojë ditën e premte, më 8 qershor, ndeshjen e fundit miqësore përball Bosnje Hercegovinës, në këtë grumbullim 10 ditor, qëllimi i së cilit ishte gjetja e elementëve të rinj për eliminatoret e ardhshme duke qenë se rreth 15 lojtarë që kanë filluar sezonin për momentin mungojnë.

Pikërisht për këtë arsye edhe trajneri Alban Bushi i vë një theks të veçantë elementëve të rinj, pa harruar faktin se çdo ndeshje duhet fituar.

“Nuk duhet të synojmë rezultatin në ndeshjet miqësore. Më mirë do të doja të humbja e të fitoja 1 lojtar, se sa të fitoja e të mos fitoja asnjë lojtar. Ky është objektivi. Ne kemi edhe tre ndeshje, në muajin shtator luajmë në Spanjë. Në tetor vjen Spanja në Shqipëri dhe me Estoninë. Në të tre ndeshjet do të donim të merrnim lojtarët që e kemi nisur sezonin, por do të fusim edhe 2-3 elementë nga datëlindja 99, për t’i pasur në sezonin tjetër”, u shpreh Alban Bushi, trajneri i kombëtares U-21, raporton Supersport.

I pyetur rreth dy paraqitjeve të fundit dhe tranzicionit që po kalon përfaqësuesja A nën drejtimin e Christian Panuccit, Alban Bushi shton se mund të arrijë shumë, por thekson se duhet t’i jepet kohë.

“Kemi rastin e De Biasit, kur ka ardhur në fillim nuk ka qenë edhe aq mirë, u cilësua si një sezon i dështuar, sezoni i parë. Por me mbështetjen e Federatës, De Biasi e rinovoi kontratën dhe na çoi në Europian. Mendoj se edhe me Panuccin do ndodhë e njëjta gjë, duhet pak kohë. Mendoj se do të bëjë mirë, ka qenë një lojtar i madh, ka qenë me ekipe të mëdha. Di se si stërviten, di se si menaxhohen lojtarët”, tha Bushi.

Në këtë grumbullim 10 ditor përfaqësuesja U-21 ka zhvilluar 2 ndeshje me Bosnje Hercegovinën, më 28 maj të cilën e humbën 2-0, me Bjellorusinë më datën 5 qershor që e fituan me shifrat 3-2 dhe më 8 qershor sërish ndaj Bjellorusisë në “Elbasan Arena” në orën 19:00.