Sport

Prishtina mund të nisë stinorin në stadiumin e rinovuar pa tifozë

Prishtina barazoi në ndeshjen vendimtare për titull kampioni (0:0) muajin e shkuar, për çka Drita u shpall kampione e vendit.

Prishtina po i vuan ende pasojat e asaj ndeshje e do t'i vuajë edhe në fillim të stinorit të ri, 2018\19, shkruan sot Koha Ditore.

Prishtina është dënuar që ndeshjen e parë si vendase në stinorin e ri ta luajë pa shikues, që i bie se në ndeshjen e saj të parë në stadiumin e rinovuar të qytetit të Prishtinës do të jetë pa "plisat". Punët në stadium pritet të përfundojnë në fund të këtij muaji.

Vendimi është marrë të martën nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi në ndeshjen me Dritën të zhvilluar në Pejë tifozët prishtinas fyen dhe shanë kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri.

Komisioni Disiplinor ka suspenduar edhe dy mbrojtësit e Prishtinës, Armend Dallku e Debatik Curri, pasi u përjashtuan në këtë ndeshje me Dritën. Curri është suspenduar për tri ndeshje, kurse Dallku për katër. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).