Sport

Venus Williams eliminohet në rrethin e parë

Çfarë do të kishte dhënë Venus Williams që të kishte një “dezha-vu” në Paris të dielën.

Grand Slam i njëjtë, kundërshtarja e njëjtë si e vitit të kaluar, por në “Roland Garros” këtë vit amerikania u eliminua në raundin e parë nga kinezja Wang Qiang me 6:4, 7:5.

Është hera e parë që nga viti 2001 që Venus Williams është eliminuar në rrethin e parë të “Roland Garrosit” dhe hera e parë në karrierë që ajo është eliminuar dy herë rresht në raundin e parë në Grand Slame.

“Ka edhe ditë që nuk janë aq perfekte në tenis. Në këtë moment thjesht duhet të shikoj para”, ka thënë Venus 37-vjeçare, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Unë thjesht dua të jem në formën më të mirë, kaq është. Askush nuk planifikon në një gjë të tillë”.

Nëse rezultati i së dielës ishte pika më e ulët në karrierën e Venusit, për kinezen Wang ishte fitorja më e madhe në karrierë, dhe një të cilën e vlerëson shumë.

Wangut mund t'i falet që ka rrotulluar sytë kur është publikuar shorti të enjten, pasi ishte mposhtur si në “Roland Garros” ashtu edhe në “Wimbledon” në përballjet e kaluara me Venusin.

Mirëpo 26-vjeçarja iu fut përballjes me entuziazëm dhe nuk dukej e shpërqendruar në asnjë moment.

Kompakte dhe aktive, Wang dukej se po angazhohej për çdo top më tepër se Williams. Dita ishte mjaft e nxehtë dhe dy tenistet shpenzuan shumë energji.

Wang pret tash përballjen e raundit të dytë, ndërsa për Williamsin sytë janë te Grand Slami i radhës në Wimbledon. Ajo vitin e kaluar përfundoi nënkampione në Wimbledon dhe kjo i jep paksa shpresë.

“Ka edhe pesë javë deri te Wimbledoni”, tha Williams.