Sport

Ndërtimi i përfaqësueses përmes futjes “në zjarr” të të rinjve

Arbenit Xhemajli ka luajtur gjashtë ndeshje për Xamaxin, që fitoi titullin në kategorinë e dytë zvicerane. Dy ndeshje i luajti për përfaqësuesen U-21 të Kosovës në futboll. Dhe tani Xhemajli është "graduar" në përfaqësuesen A të Kosovës. Ai është ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes për dy ndeshjet që Kosova i luan javën tjetër në Zvicër.

Xhemajli 20-vjeçar si lojtar është rritur te Zuerichu, ndërsa pikërisht në stadiumin e këtij klubi, "Letzigrund", takohen Kosova e Shqipëria të martën më 29 maj. Më 3 qershor në Wohlen, Kosova përballet me Bregun e Fildishtë, shkruan sot Koha Ditore.

Tekniku zviceran Challandes është i njohur për "futjen në zjarr" të lojtarëve të rinj. Dhe lista e Kosovës për dy ndeshjet miqësore të radhës e dëshmon këtë. Në listë ka lojtarë me gjashtë paraqitje në kategorinë e dytë të Zvicrës apo si Rron Broja që luan për Shkupin, skuadër kjo mesatare e kampionatit të Maqedonisë. Në listë janë edhe Ardian Ismajli që shumicën e ndeshjeve të Hajdukut të Splitit i ka përcjellë nga banka rezervë dhe Dren Feka që i ka vetëm tri paraqitje me ekipin e parë të Luzernit në Superligën zvicerane.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)