Sport

Wijnaldum: Liverpooli ka rast të madh për ta mposhtur Realin

Mesfushori i Liverpoolit, Georginio Wijnaldum ka deklaruar se ekipi i tij ka rast të madh për të fituar Ligën e Kampionëve, sidomos nëse Mohamed Salah është në formë.

“Të kuqtë” kanë edhe një pengesë në rrugën drejt titullit të gjashtë të “Championsit”. Kjo pengesë është Real Madridi, ekip me të cilin do të përballen të shtunën në Kiev.

Wijnaldum shpreson se egjiptiani do t’i ndihmojë Liverpoolit për të arritur trofeun, por ka paralajmëruar se i pret një detyrë e vështirë ndaj fituesit të dyfishtë me radhë të garës evropiane.

“Mo ka pasur sezon të pabesueshëm. Mënyra se si realizonte golat ishte e pabesueshme, jo vetëm për të, por për ne dhe për tifozët – të gjithë janë dëshmitarë”, ka thënë ai për ESPN.

“Çfarë ka bërë këtë sezon në Premier Ligë është e pabesueshme dhe shpresoj se mund ta bëj këtë edhe në finale dhe ta marrë formën e tij nga Premier Liga në finalen e Ligës së Kampionëve sepse do të kishim mundësi më të madhe për ta fituar”.

“Do të jetë e vështirë dhe sfidë e madhe, por kemi besim. Mënyra se si kemi arritur në finale – rezultatet që kemi pasur dhe stilin e lojës. Nëse luajmë siç bëjmë zakonisht, kemi mundësi të madhe për ta fituar”, ka thënë veç të tjerash mesfushori holandez.