Sport

Martini: Ditë e zezë për futbollin shkodran, Vllazninë e kthyen në skuadër partie

“Bota është e rrumbullakët Partizan! Jeta vazhdon!” Ish-lojtari i njohur i Vllaznisë, Edi Martini, është shprehur shumë i zhgënjyer pas ndeshjeve të djeshme ku Vllaznia ra zyrtarisht në Kategorinë e Parë. Pas takimeve, një prej futbollistëve që ka lënë gjurmë me atë fanellë ka shprehur gjithçka në intervistën e tij për gazetën “Panorama Sport”.

Si e përjetuat rënien e Vllaznisë?

Si kam për ta përjetuar, si çdo shkodran tjetër. Shumë keq. Nuk mendoj se ka shkodran që është gëzuar. Si shumica e shkodranëve, unë nuk ndihem aspak mirë. Është e pabesueshme. Nuk e kisha menduar se mund të vinte një ditë e tillë për futbollin shkodran. Ama dua të them se çfarë kemi mbjellë tash 7 vite, kemi korrur këtë vit. Vonoi, por erdhi kjo ditë e zezë.

Çfarë do të thotë kjo për ju?

Prej 7 vitesh, Vllaznia është kthyer në një ekip partie, një ekip politike në Shkodër që kush pa pasur nevojë për të e ka përdorur si ka dashur. E kanë marrë, e kanë lënë, kanë bërë çfarë kanë dashur. Ata që drejtojnë Vllazninë nuk e dinë se çfarë drejtojnë realisht. Kujtojnë se është komunalja apo ndonjë ndërmarrje e bordit të kullimit ose ku di unë se me çfarë e ngatërrojnë. Nuk e dinë se gjithë ndërmarrjet që kanë bashkë nuk e zëvendësojnë kurrë emrin e Vllaznisë.