Sport

Kosova U19, dy miqësore me Shqipërinë

Ekipi i U-19 të Kosovës në futboll, të enjten (sot), do ta luajë ndeshjen e parë miqësore kundër ekipit U-19 të Shqipërisë. Ndeshja miqësore ndërmjet dy shteteve shqiptare do të zhvillohet nga ora 16:00 në stadiumin në Elbasan.

Të përzgjedhurit e trajnerit të Kosovës, Ramiz Krasniqi, dhe të trajnerit të Shqipërisë, Erjon Bogdani, do të luajnë edhe miqësoren e dytë. Ndeshja e dytë do të luhet të shtunën në "Loro Boriçi" në Shkodër dhe nis në orën 17:00. Kosova në Shqipëri është nisur të mërkurën.

"Ne kemi filluar përgatitjet për kampionatin evropian. Majin e kaluar patëm një grumbullim dhe tash kemi grumbullimin e dytë. Nga të gjitha këto grumbullime ne po besojmë dhe shpresojmë të bëjmë përzgjedhjen më të mirë të mundshme. Këto përgatitje dhe këto ndeshje miqësore do ta na shërbejnë të shohim cilësitë individuale, por dhe kolektive si ekip në mënyrë që të japim maksimumin në kualifikime. Kemi mjaft futbollistë cilësorë, por që nevojitet një punë permanente për të arritur qëllimin", ka thënë seleksionuesi i Kosovës, Ramiz Krasniqi.

Kosova do të grumbullohet edhe gjatë muajit gusht dhe do të jetë i fundit para ndeshjeve kualifikuese të evropianit "Euro 2019" që mbahet në Armeni. Raundi i parë i garave kualifikuese mbahet nga 10 tetori deri më 20 nëntor.