Sport

Xhaka fiton me Baselin, thumbon De Biasin

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, kohës së fundit ka polemizuar me trajnerin Gianni De Biasi për mos-ftesën në takimet e fundit që kombëtarja kuqezi i ka zhvilluar.

Debatet nga distanca, Xhaka i ka vazhduar edhe përmes një postimi të fundit në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Xhaka, në njëfarë mënyre ka thumbuar pikërisht De Biasin, duke “i treguar” atij se angazhimi me klubin Fc Basel ka qenë i pandalshëm që nga fillimi i sezonit, si në ligën e brendshme, ashtu edhe në Champions League, raporton Koha.net.

“Një fitore që për mua do të thotë shumë. Dhashë si gjithmonë gjithçka në fushë për ekipin tim. Titulli kampion tashmë shumë më afër. Luaj që nga fillimi i sezonit 90 minuta, kam luajtur çdo ndeshje në Chamions Ligë dhe për këtë besim që më është dhënë falënderoj shumë trajnerin, tifozët e mrekullueshëm dhe ekipin tim FC Basel”, ka shkruar Xhaka, duke shtuar edhe mesazhin “#kuqezi#përjetë”.

Baseli fitoi si mysafir i St. Gallenit me rezultatin 3 me 0, duke betonuar në këtë formë pozitën e parë në ligë me 69 pikë të grumbulluara, plot 20 më shumë se vendi i dytë të cilin e mban skuadra Young Boyz.