Sport

Sadiku, ndihmëstrajnere në Kinë

Ish-futbollistja Elena Sadiku që para katër muajve u tërhoq nga futbolli aktiv për shkak të lëndimeve, ka filluar të punojë si ndihmëstrajnere dhe trajnere kondicionale tek ekipi i Superligës së Kinës, Beijing BG Phoenix.

Sadiku, 24-vjeçare, në katër vitet e fundit ka pasur 12 operime në gjurin e majtë, por nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht.

Gjatë karrierës si futbolliste Sadiku ka luajtur te LdB Malmo, Kristianstads DFF, Eskilstuna United dhe Hammabry dhe ka qenë pjesë e Përfaqësueses U19 të Suedisë.

Ajo te skuadra kineze po punon me ish-trajnerin e Linkopingut, Kim Bjoerkegren.

“Nuk besoj se në moshën 24-vjeçare të ofrohet një mundësi e tillë, të cilën e kam pranuar me kënaqësi. Agjenti im, Michael Kallback, ka punuar rreth transferimit të Kimit në Kinë e më vonë edhe unë u transferova si asistente”, është shprehur Sadiku të hënën për gazetën “Aftonbladet”.

Ajo për disa muaj ka punuar si trajnere e ekipit U19 të Hammarbyt.

Skuadra ku është angazhuar Sadiku, pas katër xhirove të zhvilluara në kampionatin e femrave të Kinës, ka tubuar dy pikë. Ka dy barazime e dy humbje.

“Shpresojmë të vijë qysh në ndeshjen e radhës fitorja”, ka thënë ajo.