Sport

Neymari dëshiron kalimin te Reali, PSG nuk dorëzohet

Neymari e ka bërë të qartë se dëshiron me çdo kusht që të kalojë te Real Madridi këtë verë, por Paris Saint-Germaini nuk po e lejon largimin e tij.

Sipas “Goal”, 26-vjeçari tashmë u ka thënë krerëve të PSG-së se dëshiron të largohet pas vetëm një sezoni, por gjiganti francez po mundohet ta bindë që të qëndrojë edhe më gjatë në Paris.

Agjenti i lojtarit, Pini Zahavi, është takuar me presidentin e Realit, Florentino Perez, më 13 maj, para takimit me avokatin e Neymarit një ditë më pas. Edhe babai i futbollistit dëshiron me çdo kusht të shtyjë përpara një marrëveshje me Realin.

Zahavi tashmë ka nisur kërkimin për një zëvendësues të brazilianit te PSG-ja, por është klubi që po bllokon çdo marrëveshje pasi dëshiron ta mbajë lojtarin deri më 2022 kur skadon kontrata e tij.

Nëse Reali dëshiron të kompletojë marrëveshjen, kjo nuk pritet të ndodhë para përfundimit të Botërorit, më 15 korrik.

Në sezonin e parë, Neymari ka shënuar 28 gola në 30 ndeshje me PSG-në.