Sport

Serbia ua ndalon sërish hyrjen karateistëve kosovarë

Descriptive Text

18:20 - Serbia ua ka ndaluar për herë të dytë hyrjen karateistëve kosovarë.

Sot në mëngjes, Serbia ktheu prapa ekipin kosovar për të mos lejuar që ata të marrin pjesë në Evropianin që nis nesër në Novi Sad.

Ekipi u nis sërish në orën 16:30, por edhe për herën e dytë ata nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi.

Për KTV-në, Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, ka treguar se informatën për moslejim që të hyjnë në Serbi e kishte marrë nga Antonio Espinos, kryetar i Federatës së Evropës dhe të Botës në karate.

“Pasi u kthyem në Prishtinë më thirrën se a jemi të gatshëm që të nisemi sërish për Novi Sad nëse na lejohet hyrja. U thash se po dhe më thanë që të nisemi, e u nisëm. Në momentin kur iu afruam kufirit, më thirri Espinosi dhe prita lajm të mirë, por më tha se qeveria e Serbisë nuk po lejon hyrjen tonë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se karateistët kosovarë vetëm janë testuar se a do të nisen për herë të dytë, por dëshmuan se nuk dorëzohen.

“Ne nuk dorëzohemi, nëse është nevoja edhe në këmbë ne do të niseshim. Jemi të pranuar në federata ndërkombëtare me të drejtat e barabarta dhe duhet të jemi pjesë e kampionateve”, ka shtuar ai.


Karateistët kosovarë nisen për herë të dytë drejt Serbisë

Karateistët janë nisur sërish drejt Serbisë për Evropianin që do të mbahet nga 10 deri më 13 maj.

Kjo është hera e dytë që ekipi kosovar është nisur drejt Novi Sadit.

Përfaqësueses së Kosovës sot në mëngjes iu ndalua hyrja në Serbi nga autoritetet kufitare në Merdare.