Sport

Dueli i top-golashënuesve, Messi apo Ronaldo kush është mbreti i “El Clasicos”

Adhuruesit e futbollit nga e mbarë bota, por edhe ata që e pëlqejnë Messin apo Ronaldon, Barcelonën apo Real Madridin, do të ulen para ekraneve për ta parë derbin më të madh në planet, Barcelona-Real Madrid.

Në “Camp Nou”, do të jetë duel i sulmuesve, me dy lojtarët argjentinasin e portugezin, që kanë treguar paraqitje të jashtëzakonshme në derbi, në vitet e kaluara. Që të dy kanë shënuar gola, kanë thyer rekorde me ekipet e tyre respektive, transmeton KTV.

Por, kush është mbret i “El Clasicos”?

Statistikat në paraqitje, thonë se Leo Messi është larg më i mirë se kundërshtari i tij, portugezi Ronaldo. Messi ka shënuar 25 gola në 37 paraqitje me Barcelonën në El Clasico, kurse Ronaldo 17 në 29 paraqitje. Messi i ka konvertuar në gol 18.33% të 129 gjuajtjeve në portë, ndërsa Ronaldo vetëm 13.9%, nga 122 gjuajtje.

Messi ka 14 asistime, ka krijuar 65 shanse për gol, ndërsa rivali i tij ka vetëm një asistim dhe ka krijuar 15 raste për shënim.

Kur flitet për fitore në El Clasico, Messi ka 17 fitore, 8 barazime dhe 12 humbje nga 37 lojë. Portugezi ka 8 fitore, 7 barazime dhe 14 humbje në 29 ndeshje.

Të dy futbollistët kanë lënë gjurmë në këtë përballje gjigantësh. Ronaldo është i vetmi lojtar që ka shënuar në 6 ndeshje rresht kundër Barcelonës. Është i vetmi lojtar që ka shënuar 11-të gola në “Camp Nou”.

Argjentinasi Messi është golashënuesi më i mirë në derbi me 25. 14 asistime do të thotë se është asistuesi më i mirë në histori të këtyre rivalëve. Për më shumë, Messi është golashënuesi më i mirë në Santiago Bernabeu, me 15 gola në impiantin e madrilenëve.

Sulmuesi argjentinas është po ashtu futbollisti më i ri që ka shënuar het-trik në “El Clasico”.