Sport

Bashkimi eliminon ProBet Prishtinën për finalen me Penzën

Penza dhe Bashkimi do të takohen në finalen e plejofit të Ligës së Femrave në basketboll. Përderisa Penza eliminoi Trepçën (2:0) në seri, edhe Bashkimi me të njëjtën seri eliminoi Probet Prishtinën.

Për Bashkimin kjo është hera e parë në finale pas vitit 2011 ku edhe fitoi titullin. Në ndeshjen e dytë ndaj ProBet Prishtinës, të zhvilluar në Prizren, Bashkimi triumfoi me rezultatin 75:49, transmeton Koha.net.

Te vendaset më të dalluarat ishin amerikanet Khadija Brown-Haywood e Anastasia Williams. Brown-Haywood shënoi 28 pikë kurse Williams kontribuoi me 13 pikë e 14 kërcime. Te ProBet Prishtina më efikasja ishte Irma Konjusha me 25 pikë.

Për Bashkimin kjo ishte fitorja e 11-të në po aq ndeshje të zhvilluara këtë vit. Seria e finaleve pritet të nis prej javës që vjen kurse ndeshja e parë zhvillohet në Pejë. Ekipi që shënon tri fitore shpallet kampion i këtij edicioni kurse Penza është kampione në fuqi.