Sport

Kelmendi reagon pas suspendimit nga 89-shi: Nuk kam trukuar ndeshje

Futbollisti Shend Kelmendi ka reaguar pas suspendimit që i bëri klubi i tij, Trepça ’89. 

Dje kampioni i Kosovës në futboll konfirmoi se ka suspenduar Shend Kelmendin, Argjend Mustafën dhe Festim Krasniqin për mungesë në drekën e përbashkët me klubin para ndeshjes me Gjilanin në fundjavë. Klubi po ashtu akuzoi lojtarët se “kanë bashkëpunuar me individë të caktuar për favore të klubeve të tjera”.

“Futbollistët e lartë përmendur pas seancës stërvitore të mbajtur më 20 prill 2018 (e premte) janë futbollistë që gjenden në mesin e 18 futbollistëve për ndeshjen e javës së 28 me KF Gjilanin, të njëjtit të nesërmen (e shtunë) sipas protokollit të klubit nuk u paraqitën në drekën e përbashkët dhe nuk udhëtuan për zhvillimin e ndeshjes në Gjilan, duke bojkotuar klubin. Ne jemi të informuar se ky veprim i tre futbollistëve është bërë me qëllim të caktuar për ta dëmtuar klubin KF Trepça ’89 dhe për favore të klubeve të tjera. Klubi futbollistik duke shikuar rrethanat e ngjarjes dyshon që këta tre futbollistë kanë bashkëpunuar me individë të caktuar për favore të klubeve të tjera, po ashtu janë shkaktar të cilët na larguan nga gara për titull kampion “ata e dinë pse”. Jemi të detyruar të tregojmë se futbollistëve në fjalë iu kemi kryer të gjitha obligimet financiare sipas kontratës së punës. Në bazë të statutit të klubit, rregullores mbi të punësuarit dhe rregullores disiplinore, KF Trepça ’89 pas analizës së gjerë dhe informatave, futbollistët nuk iu kanë përmbajtur rregulloreve të lartë përmendura, prandaj klubi merr vendim për aprovimin e masës ndëshkuese, suspendim nga komisioni disiplinor i klubit”, kishte thënë Trepça ’89 në njoftimin e vet.

Tani Kelmendi ka treguar anën e tij, duke thënë se të gjitha këto janë trillime. Sipas tij, klubi e ka ofenduar me këtë akuzë dhe se kurrë s’ka trukime të ndeshjeve.

“Natyrisht që isha i paraparë për formacionin e ndeshjes së radhës me Gjilanin në Gjilan. Me që jam nga Prishtina, së bashku me shokët Argjend Mustafa e Festim Krasniqi kemi dal që ekipin ta presim tek Viva Fresh në dalje të Prishtinës, rrugës për Gjilan ku kemi takuar edhe dy anëtarë të klubit. Pasi kemi hipur në autobus, përfaqësuesi i klubit na ka urdhëruar të zbresim meqë nuk jemi pjesë e ekipit për ndeshjen në Gjilan. Si shkak i kësaj ishte se ne ishim pjesëmarrës në trukimin e ndeshjes me Gjilanin dhe veprimet tona ishin në kundërshtim me rregulloren e klubit. Unë Shend Kelmendi, nën përgjegjësi morale e materiale i deklarohem klubit dhe opionionit të gjerë se këto trillime janë të nivelit të ulët të klubit me nam, sepse kurrë në karrierën time prej futbollisti s’jam marrë me gjëra të pandershme në lojën e futbollit e shpresoj se nuk do të më tradhtojë mendja që një gjë të tillë ta bëjë në jetën time”, ka shkruar Kelmendi teksa ka shtuar se Trepça ’89 është dashur të ankohet edhe në organet kompetente nëse ka qenë e bindur në planifikim të trukimit.

89-shi u mposht 2 me 0 nga Gjilani të shtunën.