Sport

KEK-u nuk lejon KTV-në të xhirojë ndeshjen kundër Vushtrrisë

Zyrtarët e klubit të futbollit KEK-u nga Obiliqi, të shtunën kanë penguar ekipin e KTV-së për t’u futur në stadium dhe për të xhiruar ndeshjen derbi të Ligës së parë ndaj Vushtrrisë.

Udhëheqësit e klubit u kanë thënë rojave të stadiumit të mos lejojnë hyrjen në stadium, pa dhënë ndonjë arsye përse e kanë bërë një gjë të tillë, raporton KTV.

Javën e kaluar në ndeshjen me 2 Korrikun, ekipi i Kohavisionit ka përcjellë ndeshjen e Ligës së Parë, ndërmjet 2 Korrikut e KEK-ut, në të cilin takim, fitore realizuan mysafirët nga Obiliqi.

Në raportin e KTV-së, gazetari ka përmendur se është arritur fitore e lehtë e KEK-ut përballë 2 Korrikut, pasi trajneri i skuadrës nga Prishtina kishte inkuadruar në lojë, lojtarët të grupmoshave të reja.

Zyrtarëve të KEK-ut nuk u ka pëlqyer raporti i asaj ndeshjeje, të cilët nuk kanë reaguar fare, por që të shtunën, janë munduar ta pengojnë ekipin ta xhirojë ndeshjen me Vushtrrinë.

Ekipi i KTV-së, megjithatë ka xhiruar ndeshjen, por duke hyrë nga ana e tifozëve.

Për këtë veprim, drejtuesit e KEK-ut nuk kanë dashur të flasin, njësoj siç nuk kanë folur as për ndeshjen e kaluar me 2 Korrikun, nëse ajo ishte e manipuluar.

Sa i përket ndeshjes, të dy skuadrat shënuan nga një gol duke ndarë pikët në derbin e skuadrave që kërkojnë inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar.

Në stadiumin “Agron Rama”, ishin mbledhur rreth 2 mijë shikues, me të dy tifozeritë “elektricistët” dhe “forcat”, që dhuruan një atmosferë fantastike.

Skuadra nga Obiliqi kaloi e para në epërsi, me anë të Miran Maksutit, i cili e ktheu në gol asistimin e Besart Dushit për 1:0.

Ende pa mbaruar mirë festa e “elektricistëve”, skuadra nga Vushtria menjëherë vendosi baraspeshën në aksion e rradhës.

Ishte sulmuesi në formë Jetmir Topalli, i cili shënoi golin e barazimit pasi u gjet më së miri në zonën e kundërshtarit.

7 minuta me të filluar pjesa e dytë, takimi u ndërpre për 10 minuta, pasi tifozët mysafirë duke hedhur gjësende në fushë, goditën gjyqtarin anësor.

Ndeshja rifilloi pas dhjetë minutash, kur u qetësua situata.

Skuadra nga Obiliqi ishte ajo që e kërkoi golin më shumë dhe në minutën e 73-të përpak sa nuk shënoi sulmuesi Maksuti.

Rastin më të mirë në ndeshje e lëshoi mbrojtësi Arbër Pirra, kur në minutën e 80-të nuk arriti të realizoi, edhe pse ishte i vetëm përballë portierit Burim Sadiku.

Deri në fund nuk pati më raste dhe rezultati mbeti i pandryshuar, ndërsa pas ndeshjes pati edhe disa incidente të vogla ndërmjet të dy tifozerive.