Sport

Vëllaznimi si Besa, s’mund të luajë në Evropë edhe nëse e fiton Kupën

Descriptive Text

Vëllaznimi që e ka siguruar finalen e madhe të Kupës së Kosovës, mund ta ketë fatin e Besës së Pejës.

Skuadra nga Gjakova edhe nëse e fiton Kupën, nuk do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës, për shkak të problemeve me licencim, gjë e cila i kishte ndodhur Besës në vitin e kaluar, ku edhe pse pejanët rrëmbyen Kupën, nuk luajtën në garat evropiane.

Lajmin aspak të mirë për Vëllaznimin, e ka konfirmuar për Sportin në KTV, kryetari i klubit, Agim Cana, i cili ka thënë se kjo po ndodh për shkak të problemeve që i ka trashëguar.

Cana e pranon se me mjetet financiare që do të mund të siguroheshin nga UEFA, Vëllaznimi do të rregullonte shumë gjëra.

Por, menaxheri për licencim në Federatën e futbollit të Kosovës, Bajram Shala, ka deklaruar se Vëllaznimi ka aplikuar për licencim, por nuk ka zbuluar më shumë detaje.

Lidhur me këtë rast, KTV-ja jo zyrtarisht mëson se klubi nga Gjakova nuk e ka dorëzuar dokumentacionin për disa kritere që kërkohen.

Lajmi bëhet edhe më i keq për gjakovarët, pasi futbollistët as që e kanë ditur se nuk do të mund të luajnë në Evropë.

Por, pavarësisht të gjithave, trajneri Arsim Gojani dhe dy futbollistët, Alban Dragusha e Besnik Krasniqi, thonë që do të japin më të mirën që Kupën ta dërgojnë në Gjakovë pas 10 vjetëve.

E, si ngushëllim, kryesia ka paraparë premi për futbollistët nëse e fitojnë Kupën.

Sporti në KTV mëson se lojtarët do të paguhen nga 2 mijë euro për kokë.

Në finalen e 27 majit, Vëllaznimi do të takohet me Prishtinën ku kjo e fundit nuk pritet të ketë probleme për të marr sërish licencën.

Mundësia që përsëri në garat evropiane të luajë nënkampioni i Superligës, janë të mëdha.