Hasi ëndërron të udhëheqë Shqipërinë, thotë se s’është kontaktuar nga Kosova

Hasi ëndërron të udhëheqë Shqipërinë, thotë se s’është kontaktuar nga Kosova

16 prill 2018 21:41

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Besnik Hasi, thotë se ka dëshirë të madhe që një ditë të marrë drejtimin e kombëtares si trajner.

Ish-trajneri i Anderlechtit dhe Olympiakosit aktualisht është pa punë.

“Në futboll asnjëherë nuk është momenti ideal. Sot jam pa punë dhe pa klub dhe Federata Shqiptare e ka trajnerin. Mbase kur Shqipëria të mos ketë trajner unë do të kem një klub, por dëshira është e madhe dhe as nuk e mohoj dot dhe askush tjetër që ka luajtur edhe për Kombëtaren, që ka dëshirë të drejtojë Kombëtaren. Shpresoj që një ditë do të jetë rasti im të jem trajner i Kombëtares”, thekson trajneri gjakovar.

Sa i përket përfaqësueses së Kosovës, Hasi thotë se s’ka pasur asnjë kontakt nga FFK-ja.

“Nuk e di a kam qenë në listën e tyre, por unë s’kam pasur asnjë kontakt me asnjë nga Federata e Kosovës, apo nga ndonjë që punon për Federatën e Kosovës”, ka thënë ai për Tch.

Hasi: I lumtur që s’e kam hallin që të zgjedh mes Shqipërisë e Kosovës

Trajneri i njohur shqiptar, Besnik Hasi, që një kohë ishte anëtar i kombëtares shqiptare, ka thënë se është i lumtur që s’e ka hallin e zgjedhjes mes fanellës kuq e zi dhe asaj të Kosovës.

“Para se Kosova të pranohej në UEFA ishte shumë më e lehtë për Shqipërinë, sepse të gjithë talentet mbarëshqiptarë vendosnin për Shqipërinë, ndërsa sot janë dy ekipe. Djemtë që kanë prejardhjen nga Kosova luajnë për Kosovën dhe është e natyrshme. Por, ka edhe nga ata që zgjedhin Shqipërinë, sepse është një ekip shumë i mirë dhe kjo si skuadër ka traditë. Ka futbollistë që e shohin Kombëtaren si shkallë që të shkojnë më lart, që është e gabuar për mua, sepse Kombëtaren në radhë të parë duhet ta ndjesh dhe më pas vijnë të tjerat. Sigurisht që zgjedhjet e futbollistëve tani nuk janë më të lehta, sepse janë dy kombëtare”, thotë Hasi. “Do të ishte shumë e vështirë për mua. Jam i kënaqur që nuk e kam pasur mundësinë të zgjedh, sepse nuk është e lehtë”, ka deklaruar Hasi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme