Sport

Kryesia e FBAK-së dënon sulmin fizik ndaj kreut të saj

Kryesia e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës (FBAK) në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më datën 28 mars 2017, ka dalë me një sqarim në lidhje me ngjarjet e fundit të ndihura mes anëtarëve të kësaj Federate.

Të hënën, dy pjesëtarë të FBAK janë nisur në ekspeditën për të pushtuar Malin Everest, ndërsa dy të tjerë që ishin paraparë të shkonin bashkë me ta, kanë anuluar shkuarjen me arsyetimin e mungesës së fondeve.

Gjatë përcjelljes së dy anëtarëve nga Klubi Alpin Prishtina (KAP) për në Nepal, ndodhi një incident, ku njëri prej anëtarëve të FBAK, që ishte paraparë të shkonte në këtë ekspeditë, por për shkak të mungesës së fondeve i ishte anuluar shkuarja, sulmoi me grusht kreun e Federatës, Arben Lila.

Për më tepër, lexojeni komunikatën e plotë të FBAK-së:

Dje (27 mars), një pjesë e kryesisë së FBAK-ut dhe kryetari, Arben Lila, dolën në aeroportin e Prishtinës për t’i përcjellë dy alpinistët nga Klubi Alpin Prishtina (KAP) për në Nepal, ku do të synojnë ngjitjen në majën Everest. Me atë rast gjatë përcjelljes, kryetari i FBAK-ut u sulmua fizikisht nga një anëtar i KAP-it. Kryesia e Federatës e konsideron këtë akt, si një akt të ulët dhe sulm ndaj Komunitetit bjeshkatar dhe sportit kosovar në përgjithësi.

Në mbledhjen e mbajtur më datën 8 shkurt 2017, kryesia e FBAK-ut, ku ishte prezent edhe Kryetari i KAP-it (Nazmi Hasanramaj, anëtar i kryesisë), unanimisht mori vendim t’i përkrah bjeshkatarët e tri shoqërive anëtare të FBAK-ut (KAP, ShBA Pashtriku, ShBA Sharri). Bazuar në këtë vendim kryesia bëri kërkesën në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS) për përkrahjen financiare të gjashtë bjeshkatarëve që synojnë ngjitjen e majës Everest. Shuma e kërkuar për projektin Everest ka qenë 240 mijë euro. Kërkesa i është dërguar MKRS-së me 10 shkurt 2017. Ndërkaq, më 24 mars, MKRS e ka aprovuar kërkesën e FBAK pjesërisht për subvencionim të projektit, në shumën prej 60 mijë euro, ku secili synues i majës Everest të përkrahet në mënyrë proporcionale.

Më datën 27 mars 2017, Klubi Alpin i ka dërguar FBAK-ut deklaratën se dy nga pjesëtarët e saj janë tërhequr nga Ekspedita, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm. Të njëjtin vendim e ka marrë edhe ShBA “Sharri” nga Prizreni për anëtarin e vet. Pas marrjes së këtyre deklaratave, FBAK-u ka informuar MKRS-në për zhvillimet e reja dhe ka kërkuar udhëzim. Vendimi i MKRS-së ka qenë që fondet e alokuara të ndahen proporcionalisht ndërmjet tre bjeshkatarëve që synojnë majën Everest.

Anëtarët e KAP-it kanë qenë në dijeni dhe pjesëmarrës në të gjithë hapat dhe vendimet e FBAK-ut që lidhen me ngritjen e fondeve për projektin Everest. Në anën tjetër, FBAK-u nuk ka marr asnjë informatë për ndonjë pakënaqësi eventuale nga anëtarët e KAP-it lidhur me mënyrën e ndarjes së fondeve, deri një ditë para nisjes së ekspeditës.

FBAK ka obligim dhe përgjegjësi që të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e të gjithë shoqërive bjeshkatare alpiniste anëtare të saj e jo të ndonjë shoqërie në veçanti.

Më 27 mars 2017, kur është nisur ekipi i KAP-it dhe kur janë publikuar informatat në medie për keqpërdorim të mjeteve, ato fonde ende nuk kanë qenë të transferuara në llogarinë e FBAK. Për hir të transparencës, mjetet janë derdhur në llogari të FBAK-ut me datë 28 mars 2017. Në të njëjtën ditë, mjetet e dedikuara për dy anëtarët (Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula) janë transferuar në llogari të KAP-it. Mjetet për anëtarin e tretë (Flutura Ibrahimi) transferohen në llogarinë e ShBA Pashtrik-ut.

Kryesia e FBAK-ut dënon sulmin fizik ndaj Institucionit të Kryetarit të FBAK-ut gjatë ceremonisë së përcjelljes së dy bjeshkatarëve për në Nepal. Federata shpreh keqardhjen që ky akt madhështor i shkuarjes së bjeshkatarëve në një Ekspeditë me rëndësi për Kosovën, dhe jo vetëm për komunitetin bjeshkatar, shndërrohet në një akt të ulët që nuk përkon me frymën e bjeshkatarisë. Dënojmë aspër po ashtu paraqitjen publike në rrjetet sociale dhe në TV të anëtarit të KAP-it i cili me shpifje keqinformon opinionin e gjerë për gjoja manipulimin me këto mjete të cilat na qenkan shpërndarë në destinacione të tjera.

Ftojmë organet e drejtësisë që të nisin hetimet për veprimet e djeshme të anëtarit të KAP-it dhe për të gjitha deklaratat e pavërteta të publikuara në media lidhur me administrimin e fondeve për projektin e Everestit. Në të njëjtën kohë, e vëmë në dispozicion tërë dokumentacionin e FBAK-ut për përkrahje të hetimeve.

Kryesia e FBAK-ut shfrytëzon rastin edhe njëherë të urojë të tre bjeshkatarët që në maj të këtij viti të arrijnë me sukses majën e Mount Everestit në lartësi prej 8848m dhe të kthehen shëndoshë e mirë në Kosovë!