Sport

Një dekadë e ligës ku Kosova ishte forcë e basketbollit

Liga Ballkanike në basketboll është një hap larg përfundimit të edicionit të dhjetë, jubilar, të saj. Kanë mbetur të luhen edhe dy ndeshje gjysmëfinale, ndeshja për vend të tretë dhe finalja, shkruan sot Koha Ditore.

Por në edicionin jubilar, BIBL-i vlerësohet se ka prekur pikën më të ulët. Në edicionin aktual vetëm shtatë skuadra garuan në BIBL, ligën regjionale private, që nuk ka ndonjë lidhshmëri direkte me sistemin evropian të garave të basketbollit. Edhe interesimi i tifozëve të basketbollit, para së gjithash atyre në Kosovë, ka rënë ndjeshëm në krahasim me edicionet e kaluara.

Liga Ballkanike nisi të luhet në edicionin 2008\09 kur skuadra nga Maqedonia, Rumania, Bullgaria e Serbia garuan mes vete. Në edicionin e dytë u përfshinë edhe skuadra nga Mali i Zi e në të tretin edhe nga Bosnja e Kroacia.

Në edicionin e katërt kishte skuadra nga Bullgaria, Izraeli, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja e Rumania, ndërsa në edicionin e fundit (2012\13) pa Kosovën pjesë të saj, BIBL-i u përbë nga skuadra të Bullgarisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë, Greqisë, Izraelit e Serbisë. Për edicionin 2013\14, BIBL-i dhe udhëheqësi i saj, Shay Shtriks, hapën dyert për Kosovën. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).