Sport

Spektakël golash në derbin e Dukagjinit, KTV sjell raportin e lojës

Liria në "Përparim Thaçi" befasoi duke barazuar 2:2 me Besën e Pejës.

Ndeshja e parë pas miqësoreve ndërkombëtare, nuk shkoi mirë për prizrenasit, që me këtë barazim, mund të largohen nga kreu i tabelës, raporton KTV.

Pejanët që e filluan takimin me taktikë të kundërsulmeve, shënuan në minutën e 15-të me kroatin Zhivkoviq.

Të gjendur në disavantazh, vendësit u hodhën në sulm dhe për pak sa nuk realizuan dy minuta më pas, me Roni Gashin.

Gashi rrezikoi edhe në minutën e 25-të, por kësaj radhe lehtë për portierin e Besës, Visar Haxhiaj.

E treta e vërteta me gjuajtjet me kokë, doli të jetë minuta e 34-t, kur Florent Avdyli harkoi bukur nga këndi, e Gashi shënoi për t'i barazuar shifrat.

Por, gëzimi i prizrenasve zgjati vetëm tre minuta, pasi solo aksioni i mesfushorit Fatmir Mullabeqiroviq, ishte i përkryer dhe me rezultatin 2:1 për Besën, skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesëlojën e dytë, u pa vetëm një skuadër në fushe, Liria, që kërkonte në çdo mënyrë golin e barazimit.

Dhe pas rasteve të krijuara nga nikoqirët, goli i barazimit të dytë, erdhi 20 minuta para fundit.

Mevlan Zeka nga e djathta harkoi për mrekulli, e nga kjo pozitë nuk mund të gabonte zëvendësuesi Zenel Gavazaj.

Mysafirët protestuan për faull të shkaktuar në portier, por gjyqtari kryesor Visar Kastrati nuk ishte i të njëjtit mendim.

Në minutën e 79-të, Avdyli i Lirisë ishte i pafat kur e qëlloi shtyllën, ndërsa një minutë më vonë, kapiteni Meriton Korenica lëshoi rast të artë përballë portierit pejan, pas pasimit të pranuar nga Artur Magani.

Besa në anën tjetër gjuajtjen e vetëm në portë në këtë pjesë e pati në minutën e 90-të.

Në fund për zhagitje loje, tifozët e Lirisë të frustruar hodhën edhe gjësende në fushe. Në fund, Liria - Besa, 2:2.

Në xhiron e 26, Liria udhëton te Vllaznia, kurse Besa në shtëpi e pret Dritën.