Sport

Skënderbeu i drejtohet CAS-it, thotë se drejtësia e UEFA-s në funksion të interesave private

Pas dënimit të shqiptuar nga UEFA ndaj Skënderbeut me përjashtim nga garat evropiane për 10 vjet dhe gjobë prej 1 milion euro ka reaguar klubi korçar.

Përmes faqes zyrtare klubi i Skënderbeut thotë se, “sot, më datë 29 mars 2018, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s shpalli vendimin për përjashtimin e KF Skënderbeut nga kompeticionet europiane për një periudhë 10 vjeçare dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro”.

Skënderbeu thotë se kanë të meta procedurat në UEFA dhe nuk ka garantim në të drejtat procedurale të palëve, transmeton Koha.net.

“Siç ishte paralajmëruar nga ana jonë më datë 21 mars 2018, vendimi i organit juridik të UEFA-s pritej të ishte i tillë, pasi vetë procedimi në këtë institucion paraqet të meta serioze në lidhje me parimin e pavarësisë institucionale dhe garantimin e të drejtave procedurale të palëve”, thotë Skënderbeu.

UEFA pezullon për dhjetë vjet Skënderbeun

Klubi shqiptar thotë se do ta çojë këtë qështje në CAS.

“Përpara këtij vendimi, e vetmja mënyrë për KF Skënderbeun për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane. Është e qartë për të gjithë shqiptarët se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij”, thuhet në postimin e klubit korçar.

Më tutje Skënderbeu shton se është i bindur se do të dëshmohet pafajësia e klubit.

“Krenarë për sukseset historike, të cilat janë produkt i meritave, mundit dhe sakrificave tona, KF Skënderbeu mbetet besimplotë se drejtësia e pavarur sportive ose civile do të konfirmojë pafajësinë tonë dhe do të rrëzojë vendimin absurd të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s. Çmojmë se e vetmja arritje e UEFA-s përmes këtij procesi është vrasja e kredibilitetit dhe integritetit të këtij institucioni në komunitetin sportiv ndërkombëtar”, thuhet në postim.